Shkëlqen Adrien Rabiot, AC Milan fiton me përmbysje ndaj Comos

AC Milan ka shënuar fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Comos, duke përmbysur rezultatin dhe triumfuar me shifrat 1-3, në një ndeshje ku Adrien Rabiot ishte figura kryesore. Vendasit kaluan të parët në epërsi në minutën e 10-të, kur Marc Oliver Kempf u shkëput më lart se mbrojtja pas një goditjeje nga këndi dhe me kokë realizoi për 1-0. Como vazhdoi të rrezikojë, por në minutën e 41-të Mike Maignan shpëtoi Milanin me një pritje vendimtare ndaj një goditjeje nga afërsia të Lucas Da Cunha. Momenti kyç i pjesës së parë erdhi në minutën e 44-të, kur Kempf shkaktoi penallti. Christopher Nkunku u tregua i saktë nga pika e bardhë në minutën 45+1, duke barazuar rezultatin në 1-1. Në pjesën e dytë, Milani mori kontrollin e lojës dhe në minutën e 55-të përmbysi rezultatin. Adrien Rabiot përfitoi nga një top i mbetur në zonë dhe me një goditje të saktë realizoi për 1-2. Francezi e vulosi fitoren në minutën e 88-të me një supergol nga distanca, duke e dërguar topin në këndin e poshtëm të portës për rezultatin përfundimtar 1-3. Milani me këtë fitore zë pozitën e dytë me 43 pikë, derisa Como zë vendin e gjashtë me 34 sosh./ Telegrafi