Gastroenterologu Avni Haziri gjatë podcastit "Shëndeti në rend të parë", e mbështetur nga United Hospital ka folur për përdorimin e sodës së bikarbonit dhe efektet e saj tek fryrja e barkut dhe tretja. Sipas tij, soda e bikarbonit mund të japë ndjesi lehtësimi përkohësisht, por nuk trajton shkakun e vërtetë të problemeve të sistemit tretës. “Soda e bikarbonit është e shëndetshme, por përdorimi i saj për të ndalur dhimbjen e barkut është i rrezikshëm. Ajo vetëm i qetëson simptomat, por nuk e shëron shkakun, dhe ky është problemi kryesor”, tha Haziri. Ai shpjegoi se fryrja e barkut dhe krijimi i gazrave ndodhin për shkak të tre faktorëve kryesorë: infeksionet e zorrëve, inflamacionet e zorrëve dhe intolerancat ushqimore. Fryrja dhe dhimbja janë sinjale që trupi jep për të treguar se diçka nuk shkon në sistemin tretës. “Fryrja e barkut nuk duhet të trajtohet vetëm fizikisht përmes neutralizimit të acidit me sodë bikarboni, sepse kjo nuk zgjidh shkakun. Soda e bikarbonit neutralizon acidin, prandaj jep ndjesi lehtësimi, por dhimbja dhe gazrat janë një sinjal i rëndësishëm që nuk duhet të injorohet”, theksoi gastroenterologu. Haziri gjithashtu paralajmëroi se përdorimi i barnave për dhimbje pa zbuluar shkakun mund të ketë pasoja serioze. Ai e ilustroi këtë me një metaforë: “Është si një alarm sigurie që ndizet në një kompani sigurimesh. Nëse ndalojmë alarmin pa kontrolluar shkakun, problemet reale mbeten”. Për më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndeti në rend të parë": - YouTube www.youtube.com