Mungesa e energjisë elektrike dhe reduktimet e shpeshta të furnizimit gjatë muajit janar janë shndërruar në shqetësim serioz për qytetarët dhe bizneset në Kosovë. Për këtë temë është diskutuar në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, ku e ftuar ishte deputetja e zgjedhur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Janina Ymeri. Ymeri tha se reduktimet e fundit, të cilat kanë prekur edhe Prishtinën, tregojnë se situata është shumë më e rëndë sesa po paraqitet zyrtarisht. - YouTube www.youtube.com “Kur reduktimet e energjisë e prekin edhe Prishtinën, që zakonisht është zonë e privilegjuar për shkak të institucioneve dhe QKUK-së, atëherë duhet me u pyet çka po ndodh me pjesët tjera të vendit”, tha ajo. Sipas Ymerit, Kosova po përballet me një kolaps energjetik, i cili sipas saj nuk është i papritur, por rezultat i mungesës së planifikimit dhe përgjegjësisë institucionale. “Qikjo që po ndodh sot është kolaps energjetik. Vetëm se tash është manifestu edhe në kushte dimri”, theksoi ajo në “Përballje Podcast” me kreyredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu. Duke folur për prodhimin vendor të rrymës, Ymeri deklaroi se edhe nëse Korporata Energjetike e Kosovës punon me kapacitet të plotë, vendi nuk arrin ta mbulojë konsumin pa import. “Edhe me kapacitet njëqind për qind të KEK-ut, ne nuk mundemi pa import. Pa import është problem”, tha ajo. Ymeri shtoi se struktura e konsumit në Kosovë është kryesisht amvisërore, çka e rëndon sistemin në orët e pikut. “Nuk jemi konsum industrial. Jemi amvisëri më shumë dhe kjo e rrit ngarkesën sidomos në mbrëmje”, deklaroi Ymeri transmeton Telegrafi. Janina Ymeri në "Përballje Podcat" me kreyredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu. Foto: Ridvan Slivova Ymeri kritikoi ashpër heshtjen e institucioneve përgjegjëse, duke përmendur Qeverinë, Ministrinë e Ekonomisë dhe autoritetet rregulluese. “As kryeministri, as ministria në detyrë nuk kanë pasur asnjë reagim. Kjo heshtje nuk është rastësi. Më lehtë është mos me punu dhe me importu, sesa me u marrë seriozisht e profesionalisht me këtë sektor”, u shpreh Ymeri. Duke folur për përfituesit nga kjo situatë, ajo ngriti dyshime për ekzistencën e një ‘mafi energjetike’, duke theksuar se importi i energjisë u përshtatet tregtarëve. “Kujt i konvenon importi i energjisë elektrike, përveç tregtarëve?”, pyeti ajo. Ymeri deklaroi se gjatë vitit 2025 importi i energjisë elektrike ka arritur rreth 259 milionë euro, kryesisht përmes kontratave tregtare. “Importi ka shku rreth 259 milionë euro. Qytetarët po e paguajnë këtë faturë”, tha ajo. Ymeri shtoi se në raste emergjente, çmimi i energjisë në bursat ndërkombëtare arrin nivele shumë të larta. “Në tregjet ndërkombëtare, importi mund të shkojë deri në 190 mijë euro në orë. Kjo është kosto që reflektohet direkt në faturat tona”, deklaroi Ymeri. Janina Ymeri nga LDK Foto:Ridvan Slivova Sipas saj, mungesa e planifikimit vjetor ka krijuar terren për manipulim të tregut. “Nuk ka planifikim vjetor, nuk ka transparencë. Kjo krijon anarki në sektor. Kur rritet çmimi i rrymës, rritet çdo produkt. Qytetarët po paguajnë dyfish – edhe rrymën, edhe produktet”, u shpreh ajo. Si zgjidhje, Ymeri kërkoi planifikim vjetor të sektorit, transparencë për kontratat e importit dhe mbikëqyrje më të fortë institucionale. “Zgjidhja është planifikimi vjetor i të gjithë sektorit të energjisë, që nuk është bërë as për vitin 2025 e as për 2026”, theksoi ajo. Ajo shtoi se, pas certifikimit si deputete, do të përdorë mekanizmat parlamentarë për të kërkuar përgjegjësi. “Energjia elektrike është çështje e sigurisë kombëtare dhe këtu duhet llogaridhënie”, përfundoi Ymeri./Telegrafi/.