Leao donte ta gjuante penalltinë kundër Comos, por Allegri nuk e lejoi duke zgjedhur një tjetër lojtar

Milani mundi Comon në udhëtim me rezultat 3-1 në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 16-të të Serie A dhe iu afrua vetëm tre pikë liderit, Interit. Rossonerët arritën të marrin një fitore të madhe me rikthim ndaj Comos, por mediat italiane po shkruajnë shumë për situatën e minutës së fundit të pjesës së parë, kur kur Milanit iu akordua një penallti. "Pati tension për penalltinë për Milanin. Në vend që lojtarët e Comos të protestonin, lojtarët e Milanit dolën në skenë”, shkruan fillimisht Gazzetta dello Sport . “Rafael Leao donte ta gjuante penalltinë, por trajneri Allegri ndërhyri dhe tha se Nkunku do ta gjuante. Trajneri i Milanit e thirri portugezin në stol dhe ia shpjegoi vendimin e tij”. Leao është normalisht gjuajtësi i penalltive te Milani, por këtë herë francezi mori epërsinë ndaj portugezit, duke shënuar golin e tij të pestë të sezonit. Allegri e shpjegoi vendimin e tij. "Nkunku është një gjuajtës i mirë i penalltive, ashtu si edhe Leao. Në atë moment ndjeva se Nkunku duhej të gjuante”, deklaroi Allegri. /Telegrafi/