Komuna e Malishevës shtyn afatin për paraqitjen e kërkesave për vlerësimin e dëmeve nga vërshimet

Komuna e Malishevës ka njoftuar se është shtyrë afati për paraqitjen e kërkesave për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e javës së kaluar. Sipas njoftimit të Sektorit për Emergjenca në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, personat juridikë dhe fizikë do të kenë mundësi që kërkesat e tyre t’i paraqesin deri më 21 janar 2026 (e mërkurë). “Vendimi për shtyrjen e afatit është marrë për shkak të numrit të madh të kërkesave të pranuara, si dhe për faktin se një pjesë e qytetarëve, për arsye objektive, nuk kanë mundur ende t’i paraqesin kërkesat e tyre brenda afatit fillestar”, thuhet në njoftimin e Komunës së Malishevës. Nga Komuna bëhet e ditur se me qëllim të përfshirjes së të gjithë qytetarëve të dëmtuar nga vërshimet, afati fillestar, i cili ishte paraparë deri më 16 janar, është shtyrë edhe për disa ditë. Po ashtu, autoritetet komunale sqarojnë se kërkesat për vlerësim të dëmeve duhet obligativisht të shoqërohen me dokumentacionin përcjellës, përfshirë kopjen e letërnjoftimit dhe numrin e llogarisë bankare. Komuna e Malishevës ka apeluar tek të gjithë qytetarët e prekur nga vërshimet që ende nuk i kanë paraqitur kërkesat e tyre, ta bëjnë këtë brenda afatit të ri të përcaktuar, në mënyrë që të mundësohet trajtimi dhe verifikimi i dëmeve nga komisionet përkatëse. / Telegrafi /