Ramadani dhe Ademi kërkuan më shumë hapësirë në fushë, ndërsa Shkëndija, në frymën e bashkëpunimit, pranoi kërkesën dhe mbylli bashkëpunimin, njofton Telegrafi. Me insistim të vetë futbollistëve, KF Shkëndija ka vendosur të shprehë mirëkuptim, duke u dhënë leje largimi Florent Ramadanit dhe Fiton Ademit, të cilët nuk do të jenë më pjesë e skuadrës në vazhdim të kampionatit. Kërkesa e tyre kishte të bënte me dëshirën për të gjetur mjedise të reja ku do të kenë më shumë minuta dhe rol aktiv në lojë. Klubi dhe lojtarët kanë arritur marrëveshje të ndërsjellë për shkëputjen e kontratave, në frymën e respektit dhe bashkëpunimit korrekt. Të dy futbollistët kanë qenë pjesë e rëndësishme e projektit sportiv të Shkëndijës në vitet e fundit, duke u rritur profesionalisht brenda klubit dhe duke dhënë maksimumin sa herë që kanë qenë në dispozicion të stafit teknik. KF Shkëndija ka vlerësuar vazhdimisht përkushtimin, profesionalizmin dhe korrektësinë e tyre, ndërsa ka vendosur të mirëkuptojë ambiciet e tyre për vazhdimin e karrierës. /Telegrafi/