Punëtorët e Spitalit të Përgjithshëm “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë kanë mbajtur sot një protestë, të organizuar nga Sindikata, për të shprehur pakënaqësinë dhe indinjatën e tyre lidhur me sulmin e ndodhur një ditë më parë ndaj dy punëtorëve të sigurimit dhe një infermiereje në Repartin e Ortopedisë. Gjatë protestës, stafi shëndetësor ka dënuar ashpër aktin e dhunës, duke theksuar se incidente të tilla cenojnë sigurinë në institucionet shëndetësore dhe rrezikojnë punën e përditshme të personelit mjekësor. Incident në Spitalin e Mitrovicës, sulmohet një infermiere dhe dy punonjës të sigurisë Përfaqësuesi i Sindikatës, Agron Sumiçi, ka deklaruar se protesta është një reagim i drejtpërdrejtë ndaj ngjarjes së rëndë. “Po protestojmë për të shprehur mllefin dhe pakënaqësinë tonë për sulmin e djeshëm ndaj stafit shëndetësor. Kërkojmë që autorët e këtij sulmi të mbahen përgjegjës dhe të merren masa konkrete për garantimin e sigurisë së punëtorëve në spital”, ka thënë Sumiçi. Ai ka shtuar se dhuna ndaj stafit shëndetësor është e papranueshme dhe se institucionet përkatëse duhet të veprojnë me vendosmëri për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen. Nga Spitali i Mitrovicës është ritheksuar se siguria e personelit dhe e pacientëve mbetet prioritet, ndërsa pritet që organet kompetente të hetojnë rastin dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore. / Telegrafi /