Komuna e Kamenicës ndërmerr masa emergjente për rihapjen e kanalit atmosferik në Koretin

Komuna e Kamenicës ka njoftuar opinionin publik për ndërmarrjen e masave emergjente për rihapjen e kanalit të ujërave atmosferikë dhe rikthimin e tij në gjendjen e mëparshme në fshatin Koretin, konkretisht në anën perëndimore të rrugës “Rafet Isufi”. Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë për Shërbime Publike, Ambient, Inspektorat dhe Emergjenca, vendimi është marrë në bazë të raporteve teknike të komisioneve vlerësuese komunale dhe planeve për parandalimin e vërshimeve, pas analizës së dëmeve të përsëritura të shkaktuara nga reshjet dhe vërshimet. Komuna ka konstatuar se mbyllja e kanalit ka penguar rrjedhën natyrore të ujërave, duke rrezikuar drejtpërdrejt infrastrukturën rrugore dhe sigurinë në komunikacion. Po ashtu, ndërhyrjet e paautorizuara mbi kanalin atmosferik kanë cenuar kushtet e banimit dhe sigurinë e pronës për shumë familje të zonës. Në këtë kuadër, Komuna e Kamenicës u ka bërë thirrje të gjithë pronarëve të parcelave përgjatë rrugës “Rafet Isufi” (ana perëndimore) që të lirojnë hapësirën e kanalit, duke larguar çdo investim, rrethojë, objekt montues apo material tjetër që pengon funksionimin e tij. Afati për përfundimin e këtij procesi është caktuar deri më 31 mars 2026. Nga Komuna bëhet e ditur se, pas kalimit të këtij afati, drejtoritë përkatëse do të fillojnë procedurat e ekzekutimit të detyrueshëm, ndërsa të gjitha shpenzimet për largimin e pengesave do të bien në barrë të palëve përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Autoritetet komunale theksojnë se ky projekt është në interes të përgjithshëm të komunitetit dhe synon mbrojtjen e jetës, pronës dhe sigurisë së qytetarëve, duke apeluar për bashkëpunim nga të gjithë banorët e zonës. / Telegrafi /