Portreti i Maqedoncit vendoset në galerinë e personaliteteve të shquara të Ushtrisë së SHBA-së

Ministri në detyrë i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, është nderuar me përfshirje në Sallën e Famës (Hall of Fame) të Kolegjit të Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (U.S. Army Command and General Staff College). Lajmin e ka bërë të ditur vetë Maqedonci përmes një postimi në Facebook, ku ka njoftuar se ceremonia solemne është mbajtur në Fort Leavenworth, me ç’rast është zbuluar portreti i tij fotografik, i cili do të vendoset në galerinë e personaliteteve të shquara, si dhe i është dorëzuar certifikata e nderit për arritje të jashtëzakonshme. “Shumë i nderuar për përfshirjen dhe nderimin në Sallën e Famës (Hall of Fame), në Kolegjin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo është një mirënjohje dhe nderim për popullin dhe shtetin e Kosovës, si dhe për mua si ushtarak dhe Ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës”, ka shkruar Maqedonci. Ai ka theksuar se këtë mirënjohje ua kushton bashkëluftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëtarëve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe Qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës. “Këtë mirënjohje ia përkushtoj bashkëluftëtarëve të UÇK-së, shokëve me të cilët kam shërbyer në TMK, të gjithë oficerëve dhe pjesëtarëve të FSK-së, Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe popullit të atdheut tim”, ka theksuar ai. Maqedonci ka rikujtuar se tre muaj më parë, më 14 tetor 2025, portreti i tij ishte vendosur edhe në Sallën e Famës të Kolegjit të Luftës së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (U.S. Army War College) në Pensilvani. “Duke qenë ushtaraku i parë nga Kosova që i janë bërë këto nderime në këto dy kolegje prestigjioze amerikane, ndihem thellësisht krenar për mundësitë që më janë dhënë ndër vite për t’i shërbyer vendit tim”, ka shkruar ministri në detyrë i Mbrojtjes. Në fund të mesazhit të tij, Maqedonci ka theksuar se do të vazhdojë shërbimin me përkushtim dhe përgjegjësi ndaj detyrës, misionit dhe atdheut. / Telegrafi /