Ligji për të Huajt dhe Ligji për Automjetet, Mustafi: Qartësi ligjore dhe jo penalizim për qytetarët e Luginës së Preshevës

Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, ka njoftuar sot se zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet nga Republika e Kosovës ka filluar, duke theksuar se këto ligje sjellin qartësi juridike dhe jo penalizim për shqiptarët e Luginës që jetojnë në Kosovë. Mustafi shpjegoi se periudha e tanishme është një fazë informuese që zgjat deri më 15 mars 2026. "Këto ligje nuk ndalojnë hyrjen e qytetarëve tanë në Kosovë dhe nuk synojnë penalizim, por vendosin qartësi juridike aty ku për vite me radhë ka ekzistuar një zonë gri administrative", ka shkruar ai në Facebook. Ai theksoi se periudha afirmative ka për qëllim rregullimin e statusit ligjor të qytetarëve dhe eliminimin e pasigurisë administrative: "Periudha afirmative shërben ekskluzivisht për rregullimin e statusit ligjor të qëndrimit dhe dokumentacionit, për eliminimin e pasigurisë administrative dhe për krijimin e mundësive shtesë në rast nevoje". Mustafi përmendi gjithashtu përpjekjet e qeverisë për të lehtësuar procedurat për qytetarët e Luginës së Preshevës: "Qeveria e Republikës së Kosovës ka vënë në funksion formularin për situata të jashtëzakonshme, i cili ua mundëson qytetarëve apatridë/të pasivizuar në Luginën e Preshevës të aplikojnë dhe të pajisen me dokumentacion civil". Ai theksoi rëndësinë e sigurimit të pronës dhe të drejtave administrative. "Qytetarët e Luginës së Preshevës tani mund t’i bartin pronat e paluajtshme në emrin e tyre si titullarë, duke garantuar siguri juridike mbi pronën dhe duke hequr pengesat administrative që deri më tani i kanë përjashtuar nga e drejta elementare e pronësisë", thuhet më tej. Mustafi përfundoi me një mesazh për qytetarët dhe institucioneve: "Pas datës 15 mars, zbatimi i ligjeve do të jetë i plotë, dhe çdo neglizhencë apo mosveprim mund të prodhojë pasoja administrative të panevojshme. Kosova nuk është hapësirë e pasigurisë ligjore për shqiptarët e Luginës së Preshevës, por shtet i së drejtës që i mbron, i rregullon dhe i trajton me dinjitet e të barabartë". Ky hap është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të siguruar drejtësi, qartësi ligjore dhe mundësi të barabarta për shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës. / Telegrafi /