Inter raportohet se ka refuzuar një ofertë nga Galatasaray për Hakan Calhanoglu, por e ardhmja e mesfushorit turk përtej këtij sezoni mbetet ende në pikëpyetje. Klubi nga Stambolli po shikon seriozisht tregun e Serie A, duke pasur në radar disa mesfushorë, përfshirë Youssouf Fofana të Milanit dhe pikërisht yllin e Interit. Sipas një raportimit të fundit nga “Calciomercato.com”, situata e Calhanoglu vazhdon të monitorohet me vëmendje, ndërsa një transferim i mundshëm te Galatasaray ishte diskutuar edhe gjatë verës së kaluar. Interesi i klubit turk nuk është zbehur, por pengesa kryesore mbetet qëndrimi i fortë i Interit. “SportsDigitale” ka raportuar se Inter ka refuzuar një ofertë nën 25 milionë euro për Calhanoglu. Nerazzurrët nuk kanë asnjë dëshirë ta shesin yllin e mesfushës gjatë afatit kalimtar të janarit, duke e konsideruar atë një element kyç në projektin sportiv aktual. Megjithatë, e ardhmja e Calhanoglu në “Stadio Meazza” pas verës nuk është aspak e sigurt. Agjentët e lojtarit pritet të ulen në bisedime me drejtuesit e Interit për një rinovim të kontratës, pasi marrëveshja aktuale skadon në vitin 2027. Në këtë fazë, Inter nuk është i gatshëm të heqë dorë nga Calhanoglu gjatë dimrit, por mbetet për t’u parë nëse palët do të arrijnë një marrëveshje për zgjatjen e kontratës./ Telegrafi