Një fëmijë goditet nga automjeti në Mitrovicë, dërgohet në QKUK për trajtim të mëtejshëm

Një fëmijë i lindur në vitin 2013, i gjinisë mashkullore, është dërguar për ndihmë mjekësore mbrëmjen e sotme në Shërbimin Emergjent të Spitalit të Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, si pasojë e goditjes nga një automjet. Sipas njoftimit të spitalit, fëmija është paraqitur rreth orës 19:55, ku menjëherë ka marrë trajtim dhe ekzaminim emergjent nga ekipi mjekësor, përfshirë edhe masat reanimatore. Në bashkëpunim me Shërbimin e Radiologjisë, është realizuar Tomografia e Kompjuterizuar (CT), si dhe janë kryer analizat laboratorike të nevojshme. Po ashtu, rasti është konsultuar edhe me mjekun kujdestar ortoped. Mjekët kanë bërë të ditur se fëmija është jashtë rrezikut për jetë, ndërsa për shkak të natyrës së lëndimeve, është referuar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për konsultë të mëtejshme me specialistët e Neurokirurgjisë dhe Kirurgjisë Maksilofaciale. Sipas spitalit, lëndimet janë kryesisht në zonën e fytyrës dhe sinuseve, por gjendja e fëmijës është stabile dhe jashtë rrezikut jetësor./Telegrafi/