Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka shfaqur pakënaqësinë e tij në lidhje me mënyrën se si po menaxhohet Radio Televizioni Publik Shqiptar (RTSH). Komentet Rama i bëri në fjalën përmbyllëse të mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku tha se RTSH nuk do të përfitojë më asnjë lek nga taksat e shqiptarëve. Shefi i qeverisë tha po ashtu se çdo opsion do të shqyrtohet për RTSH, që nga reformimi, privatizimi e deri te mbyllja e kësaj mediaje. “Kemi tentuar të krijojmë kushtet që RTSH të reformohet dhe kemi dështuar me suksesin më të plotë. Se di çfarë do të bëjë drejtuesja e re, por deri tani bilanci i RTSH është dështim i suksesshëm, nga borxhi në borxh dhe nga mospërfillja e publikut në mospërfillje. Ne s’kemi televizion publik sot në Shqipëri, kemi një kanal atje, por hera e fundit kur e kam parë është në vitin 1990. Që atëherë televizion publik s’kam parë, kam vajtur i ftuar po as veten s’kam parë dhe janë të vetmet intervista pas të cilave nuk marr asnjë mesazh. S’kemi për të dhënë asnjë lek nga taksat e shqiptarëve, deri kur t’i meritojë. Çdo opsion duhet të jetë në tryezë, edhe mbyllja përfundimtare, edhe privatizimi, edhe partneriteti, edhe çdo gjë përveç kësaj që është. Unë nuk marr pjesë në këtë, siç nuk marr pjesë në asnjë lloj tentative për të rregulluar median”, tha mes të tjerash Rama./A2 CNN