Incident në Malin Sharr, me makinën për rrafshimin e borës transportonin ilegalisht pasagjerë

Pesë makina për rrafshimin e borës, të cilat transportonin në mënyrë të paligjshme pasagjerë, janë zbuluar në Malin Sharr, njoftojnë nga Parku Kombëtar i Malit Sharr. Gjatë kontrollit në terren, në kohën e kryerjes së detyrave zyrtare, rojet e parkut, u penguan nga operatori përmes lëvizjes së makinave për rrafshimin e borës, duke ua pamundësuar kryerjen e detyrave dhe duke ua rrezikuar jetën. Nga Parku Kombëtar bëjnë të ditur se gjatë kontrollit është konstatuar se operatori që i posedon këto mjete nuk kishte lidhur kontratë apo marrëveshje përkatëse me parkun, ashtu siç parashihet me Vendimin për regjimin e lëvizjes së mjeteve motorike në territorin e Parkut Kombëtar Mali Sharr dhe me Planin e menaxhimit të parkut. Pas incidentit, është dorëzuar kallëzim në Ministrinë e Brendshme, si dhe në Inspektoratin për Mjedisin Jetësor dhe Planifikimin Hapësinor./TV21/