Nis faza e dytë e armëpushimit në Gaza - Blair, Rubio, Fidan ndër njerëzit që do të udhëheqin me territorin palestinez

Janë publikuar emrat e personave që do të jenë pjesë e Komitetit Kombëtar për menaxhimin e Gazës, me propozim të presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Këtë ekip do ta udhëheqë Ali Shaath, ndërsa anëtarë janë: Abdul Karim Ashour, Jaber Al-Daour, Bashir Al-Rais, Ali Barhoum, Aed Yaghi, Osama Al-Saadawi, Sami Nasman, Mohammad Bseiso, Arabi Abu Shaaban, Hana Tarzi, Rami Halas, Omar Shamali, Ayed Abu Ramadan dhe Husni Al-Mughni. Secili prej tyre do të udhëheqë një sektor të ndryshëm, nga financat deri te arsimi. Përveç këtij ekipi, Trump ka emëruar edhe disa trupa këshillimore që do të punojnë pranë Komitetit Kombëtar për menaxhimin e Gazës, ku do të angazhohen emra të njohur të politikës botërore. Ndër të tjerë, në këto trupa janë emëruar ministri i Jashtëm i Turqisë Hakan Fidan, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, si dhe të dërguarit e Trumpit, Steve Witkoff dhe Jared Kushner. Me emërimin e këtyre trupave ka nisur zyrtarisht zbatimi i fazës së dytë të armëpushimit në Gaza, gjatë së cilës pritet të vendoset një qeverisje në këtë territor palestinez pa pjesëmarrjen e Hamasit. Faza e parë zgjati tre muaj, gjatë së cilës Izraeli e shkeli armëpushimin disa herë dhe u vranë qindra civilë palestinezë. /Telegrafi/