Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) theksoi sot se rinumërimi i pjesshëm i votave të kandidatëve ka rikonfirmuar keqpërdorimet serioze nëpër qendrat komunale të numërimit. Cakolli në një postim në Facebook thekson se sipas të dhënave nga rinumërimi i deridjeshëm, në nivel kumulativ, ndryshimet në votat e kandidatëve arrijnë në gati 15 mijë vota, ndërkaq sipas partive më shumti ndryshime ka lista e PDK-së, LVV-së, LDK dhe pastaj e AAK-së. Lexoni t ë plotë postimin e tij: Rinumërimi i pjesshëm i votave të kandidatëve ka rikonfirmuar keqpërdorimet serioze nëpër qendrat komunale të numërimit. Sipas të dhënave nga rinumërimi i deridjeshëm, në nivel kumulativ, ndryshimet në votat e kandidatëve arrijnë në gati 15 mijë vota. Sipas partive, më së shumti ndryshime ka lista e PDK-së me ~7,719 vota dallim; pasuar nga LVV me ~2,947 vota dallim; LDK – me ~1,676 vota dallim; si dhe AAK me ~639 vota dallim. Në total, pas rinumërimit dhe korrigjimeve në QNR, rreth ~9,500 vota janë hequr dhe rreth ~3,500 janë shtuar për kandidatët. Vetëm te katër partitë kryesore, mbi 200 kandidatë kanë pësuar rritje dhe rreth 200 të tjerë rënie të votave. LVV ka 61 kandidatë me ulje dhe 46 me rritje. PDK ka 79 me rritje dhe 27 me ulje. LDK ka 59 me rritje dhe 46 me ulje. Ndërsa, AAK ka 60 me ulje dhe 37 me rritje. Dhjetë kandidatët që pas rinumërimit në QNR, kanë rëniet më të mëdha në vota, janë: 1. Fetah Paçarizi (PDK) −1,336 vota 2. Nait Hasani (PDK) −669 vota 3. Arianit Çollaku (PDK) −506 vota 4. Xhavit Haliti (PDK) −477 vota 5. Luljeta Veselaj Gutaj (PDK) −451 vota 6. Kujtim Gashi (PDK) −440 vota 7. Enver Hoxhaj (PDK) −430 vota 8. Fadil Demaku (PDK) −306 vota 9. Ejup Maqedonci (LVV) −250 vota 10. Vendenis Lahu (LVV) −238 vota Këto janë dallime substanciale, sidomos meqë shfaqen në një kontekst ku rinumërimi është duke u zhvilluar për vetëm 1/3 e vendvotimeve në nivel vendi. Për më keq, vërehet që votat e këtyre kandidatëve janë ndryshuar kryesisht nga qendrat komunale prej nga vijnë këta kandidatë. Nëse ky trend do të vazhdojë proporcionalisht, volumi i dallimeve në nivel vendi bëhet edhe më domethënës, duke ndikuar potencialisht edhe renditjet e shumë prej kandidatëve. Prandaj, rinumërimi i plotë është zgjidhja e duhur – sa më parë që të jetë e mundur, para se të ndikohen afatet tjera kushtetuese. /Telegrafi/