Kush e vrau Oliver Ivanoviqin?

Autoritetet në Beograd kanë pohuar se Milan Radoiçiq nuk ka urdhëruar vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Ata gjithashtu kanë pretenduar se e dinë kush është vrasësi, dhe më pas kanë deklaruar se e dinë se ai mbrohet nga Gjermania – gjë që Gjermania e ka mohuar. Sot, ata pretendojnë se vrasësi i Ivanoviqit sigurisht nuk është me prejardhje serbe. E vërteta është se, tetë vjet më vonë, ende nuk dihet asgjë, edhe pse ekziston një vendim gjykate në Prishtinë, i cili përfshin, mund të thuhet pa ekzagjerim, personazhe dytësore. Kush shtiu gjashtë herë Oliver Ivanoviqin në shpinë më 16 janar 2018 – nuk dihet. Po ashtu, nuk dihet kush e organizoi vrasjen dhe me urdhër të kujt, raporton N1. Por dihet se cilët ishin tre policë në vendin e krimit atë ditë lejuan shkatërrimin e provave. Po ashtu, dihet se një Marko Roshiq e ka ndjekur Ivanoviqin dhe i ka djegur veturën, gjë që, sipas vendimit të gjykatës, ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes. Pra, janë gjykuar ndihmësit, por ende nuk dihet kujt po i ndihmonin ata. “Me jetët tona po luajnë prej vitesh si Beogradi zyrtar, ashtu edhe Prishtina zyrtare dhe komuniteti ndërkombëtar. Dhe me kalimin e kohës jam gjithnjë e më i sigurt se të tria palët dinë gjithçka lidhur me likuidimin e Oliver Ivanoviqit, por për shkak të disa interesa të tjera dhe politikës që zbatojnë ndaj serbëve në terren, vazhdojnë të heshtin”, tha Marko Jakshiq, ish-bashkëpunëtor i Oliver Ivanoviqit. Gjatë këtyre tetë viteve, Beogradi zyrtar ka folur pak, e disa herë edhe në mënyrë të pamenduar, transmeton Telegrafi. “Ne e dimë saktësisht kush është vrasësi dhe kemi kërkuar nga organet gjermane, nën mbrojtjen e të cilave është ky person, që të na japin informacion”, deklaroi në vitin 2023 atëherë ministri i Brendshëm, dhe tani ministri i Mbrojtjes, Bratislav Gashiq. “Ne punojmë shumë seriozisht dhe mendojmë se kemi edhe emrin e vrasësit. Shqiptarët nuk e kanë, ata nuk kanë asnjë ide. Milan Radoiçiq nuk është një “lule”, por sipas të gjitha informacioneve që kemi marrë nga Ministria e Brendshme dhe Agjencia për Informacion dhe Siguri, mund të themi me siguri se ai në asnjë mënyrë nuk ka marrë pjesë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit”, deklaroi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në korrik 2019. Megjithatë, kjo “lule” përmendet me emër dhe mbiemër në vendimin e gjykatës. Ai nuk është i akuzuar dhe as i dënuar, por gjykata në Prishtinë e identifikon Milan Radoiçiqin si lider të një grupi kriminal, aktivitetet e të cilit çuan në vrasjen e Ivanoviqit. Sipas kryetares së Kuvendit, nuk ka asnjë mundësi që vrasësi të jetë serb. Deklarata e saj u bë pas homazheve për Oliver Ivanoviqin, të mbajtura në Katedralen e Shën Savës, në praninë e gruas së tij, Milena Popoviq, dhe të djalit të tyre. “Vetëm fakti që Prishtina ka sabotuar hetimin dhe nuk ndan asnjë informacion tregon se vrasësi nuk është me prejardhje serbe. Duke ditur çfarë vlerash përfaqëson Prishtina, nëse ata do të kishin pasur ndonjë dyshim se dikush me prejardhje serbe qëndronte pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, ai person prej kohësh do të ishte akuzuar dhe provat do të ishin dorëzuar. Pra, sipas tyre, Prishtina po fsheh dikë tjetër”, tha kryetarja e Kuvendit, Ana Brnabiq. Nga televizioni Pink, ku disa muaj para vrasjes u transmetua një video që e shënjestroi Ivanoviqin, sot flet edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke pohuar se Kosova po përpiqet të fajësojë Beogradin zyrtar për vrasjen. “Natyrisht, siç e keni parë, ata nuk ia dolën, por më vjen keq që nuk na dhanë asnjë analizë forenzike që e kërkuam nga të huajt, në mënyrë që të mund të ofronim prova për të gjitha përfundimet që kemi arritur rreth organizimit të vrasjes dhe motivit. Nuk na dhanë as imazhe satelitore për shkak të mjegullës që ishte atë ditë… Por besoj se asgjë nuk mund të fshihet përgjithmonë. Nuk ekzistojnë krime të përsosura, ashtu siç e kemi mësuar nga disa krime të tjera në Kosovë, dhe besoj se do të arrijmë ta zbulojmë këtë deri në fund”, tha Vuçiq. Drejtësia është e ngadaltë, por do të arrihet vetëm kur Aleksandar Vuçiq dhe SNS-i i tij të mos jenë më në pushtet, është i bindur nipi i Oliver Ivanoviqit. “Problemi vjen ekskluzivisht nga maja e pushtetit, dhe prandaj them – derisa sistemi të mos ndryshojë, derisa SNS-i të mos ndryshojë, derisa dikush tjetër të mos marrë kontrollin e qeverisjes së këtij shteti, absolutisht nuk do të ndodhë asgjë. Derisa kjo të mos ndryshojë, është e pamundur të kërkosh ndonjë të vërtetë, e jo të vërtetën për vrasjen e Oliver Ivanoviqit”, tha Aleksandar Ivanoviq. Ndërsa përfaqësues të pushtetit në Serbi, ashtu si edhe në vitet e mëparshme, nderuan kujtimin e Ivanoviqit në Beograd, një pjesë e opozitës vendosi lule në vendin e krimit në Mitrovicën e Veriut. /Telegrafi/