Vlerësimi i dëmeve nga vërshimet në Rahovec, nga komuna thonë se ka filluar procesi - fermerët kërkojnë zgjidhje të përhershme

Fillimviti 2026 ka goditur Kosovën me vërshime, ndërkaq komunat më të prekura janë Malisheva, Drenasi, Mitrovica, Gjakova dhe Rahoveci. Në vazhdën e raportimeve për gjendjen e rëndë që ka goditur këto rajone, Telegrafi ka shkuar në Rahovec, për të shikuar nga afër se si kanë arritur t'ia dalin qytetarët në këtë fatkeqësi natyrore. Nga dhjetëra fshatra të vërshuara, më mirë nuk ka kaluar as fshati Krushë e Madhe, ku blegtori Bedri Duraku ka treguar për situatën që përballën pothuajse çdo vit. “Këtu jam me fermë të lopëve. Kohët e fundit, vërshimet që kanë ndodhur, ne nuk i kemi këto prej natyrës, por këto janë prej dorës së njeriut”, tha ai. “Krejt ujëmbledhësi i asfaltit të fshatit Celinë, po derdhet në parcelën time dhe në bazë të kërkesave të vazhdueshme që kanë shkuar në komunë, deri tash asnjë hap nuk e kanë marrë, niveli komunal është shumë neglizhues”. Duraku shtoi më tej se ai nuk do të aplikoj për dëme, pasi që sipas tij më mirë është që të rregullohet ujëmbledhësi, se sa të kompensohen nga komuna. Irfan Berisha, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Rahovecit ka thënë për Telegrafin se kanë filluar aplikimet për kompensimin e dëmeve si në pronar familjare ashtu edhe në ato afariste. “Komisionet janë në terren që nga dita kur është formua, ndërsa kemi pranuar deri tani rreth 350 kërkesa për dëmshpërblim”, tha ai. “Janë trajtuar një pjesë e tyre, derisa komisioni është duke punuar në përmbyllje të këtij procesi, që t’i dërgojmë këto kërkesa në nivel qendror dhe të kompensohen dëmet”. Berisha u pyet edhe për dëmet e viteve të kaluara, duke thënë se shpresojnë që do t’i kompensojnë edhe ato. “Shpresojmë që do t’i kompensojmë edhe dëmet për vitet e kaluara dhe është mirë që të ndodhë pasi ka shumë dëme”, përfundoi ai. / Telegrafi /