Ndërprerja e fondeve ndërkombëtare dhe kriza e COVID-19 janë arsyet që dërguan disa media të komuniteteve jo-shumicë në falimentim e bashkë me to lanë edhe një varg gazetarësh të papunë. Kosova ka një laramani mediash të cilat prodhojnë në gjuhë të ndryshme, duke përfshirë gjuhët e komuniteteve jo-shumicë si serbët, romët, ashkalinjtë, egjiptianët. Përkundër iniciativave që këto komunitete të kenë platforma për t’u informuar në gjuhën e tyre, tregu i vogël i marketingut dhe burimet e përkohshme të financimit po rrezikojnë seriozisht ekzistencën e atyre pak platformave të ngritura deri më tani. Tashmë institucionet kanë nisur të regjistrojnë ulje të numrit të gazetarëve dhe mbyllje të disa platformave të komuniteteve. “Nga raportimet periodike vjetore të mediave të licencuara dhe nga komunikimi i vazhdueshëm me mediat, evidentohet një trend i përgjithshëm i zvogëlimit të numrit të të punësuarve, përfshirë gazetarët nga komunitetet jo-shumicë”, thotë Arsim Dreshaj nga Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM). Sipas Regjistrit të Radiove dhe Televizioneve Tokësore të vitit 2025, të publikuar nga KPM, në Kosovë ka gjithsej 26 radio dhe televizione që ofrojnë përmbajtje në gjuhën serbe (23 prej të cilave kanë gjuhë kryesore gjuhën serbe), 15 në gjuhën rome (një prej të cilave e ka gjuhë kryesore), 13 në gjuhën turke (prej të cilave tri e kanë gjuhë kryesore), tetë në gjuhën boshnjake (dy prej të cilave e kanë gjuhë kryesore), tri në gjuhën ashkali, tri në gjuhën gorane (prej të cilave dy si gjuhë kryesore) dhe një në gjuhën egjiptiane, e cila operon me gjuhë kryesore. Të dhënat e KPM-së tregojnë se vetëm në mes viteve 2023-2024, 8 media të komuniteteve u mbyllën. “Shtatë radio të cilat kanë transmetuar program në gjuhën serbe (pesë prej tyre nuk kanë parashtruar kërkesë për ripërtëritje ndërsa dy kanë hequr dorë nga licenca). Ndërkohë një radio në gjuhën boshnjake ka hequr dorë nga licenca”, tha Dreshaj. Sipas KPM-së, arsyet që kanë çuar në zvogëlimin e këtyre mediave nga këto komunitete, mbeten kryesisht kushtet financiare. “Sipas vlerësimeve të KPM-së, reduktimi gradual i fondeve ndërkombëtare ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në volumin dhe cilësinë e përmbajtjes së prodhuar nga mediat e komuniteteve jo-shumicë. Në mungesë të këtyre fondeve, një numër mediash kanë reduktuar prodhimin e emisioneve origjinale, përmbajtjeve tematike dhe projekteve hulumtuese”, thotë Dreshaj. Edhe platforma tjetër ku regjistrohen mediat online, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) ka një numër të vogël të mediave të komuniteteve në antarësi. “Aktualisht anëtare të KMSHK-së janë tri media në gjuhën serbe: Radio Gorazhdeci (Gorazhdevac), Radio Kontakt Plus dhe Radio Mitrovica Veri (Mitrovica Sever), përkatësisht web faqet e tyre: Gorazdevac.com, Radiokontaktplus.org dhe Radiomitrovicasever. Këto media problemin kryesor e kanë paqëndrueshmërinë financiare. Duhet pasur parasysh se këto media janë profesionale në mënyrën se si raportojnë dhe qëndrojnë jashtëzakonisht më mirë në aspektin etik sesa mediat e Serbisë, nga të cilat informohen qytetarët serbë të Kosovës”, tha Imer Mushkolaj, drejtor i KMSHK-së. Megjithatë, Mushkolaj theksoi se këto media nuk e kanë aspak të lehtë mbijetesën në këtë treg medial ku kriza financiare është prezente. “Këto media nuk e kanë të lehtë funksionimin, pasi që janë të varura plotësisht nga donatorët, kryesisht organizata ndërkombëtare. Bazuar në statutin e vet, KMSHK ofron mundësinë që gazetarët e këtyre mediave dhe vetë mediat të avancojnë në aspektin etik, duke i bërë pjesë të aktiviteteve të veta. Por, po ashtu, KMSHK trajton shqetësimet që adresohen nga mediat dhe përpiqet t’i zgjidhë ato”, theksoi Mushkolaj. Në të kaluarën, Qeveria e Kosovës ndante çdo vit një linjë të veçantë buxhetore për mediat e komuniteteve jo-shumicë, për t’i ndihmuar në përballimin e sfidave financiare, duke qenë se përballen me një treg më të vogël marketingu se sa mediat shqiptare. Jo më larg se dy vite më parë, në vitin 2023 , Qeveria e Kosovës miratoi një fond të veçantë për tetë media të komuniteteve, shuma totale e së cilës arrinte në 55,100 euro në total. Figura 2. Tetë mediat që kishin përfituar mbështetje financiare nga Qeveria e Kosovës në vitin 2023 “Së pari, dëshirojmë të sqarojmë se Zyra për Çështje të Komuniteteve vepron në kuadër të Programit Vjetor, i cili miratohet çdo vit nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Në vitin 2023, përmes thirrjeve publike të Zyrës për Çështje të Komuniteteve, kanë përfituar gjithsej tetë media, ndërsa në vitin 2024 kanë përfituar pesë media. Për vitin 2025, aktualisht nuk kemi ende një program të miratuar”, deklaruan nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit. Tutje, ata shprehen se çdo vit me dëshirë planifikojnë ndarje të mjeteve buxhetore si ndihmë për mediat e komuniteteve jo-shumicë, ndonëse një miratim i tillë nuk ka ndodhur gjatë vitit 2025. “Zyra, në kontinuitet me mandatin dhe praktikën e saj, në secilin vit parashikon skema buxhetore për mbështetjen e mediave të komuniteteve jo-shumicë, në bazë të programit vjetor të miratuar në Qeverin e Republikës së Kosovës. Kjo është reflektuar edhe në thirrjet publike të viteve 2023 dhe 2024, dhe parashihet të vazhdojë edhe në të ardhmen, në rast të miratimit të programit për vitin 2025 e tutje dhe sfid mbetet që aktualisht nuk kemi Drejtor të ZÇK-së”, thuhet në përgjigjen e ZÇK-së nga Zyra e Kryeministrit. Nga kjo zyrë shprehen se janë në dijeni me problematikat me të cilat përballen mediat që vijnë nga këto komunitete, e që një prej sfidave më të mëdha vazhdon të mbetet ajo e sigurimit të fondeve dhe qëndrueshmërisë financiare. “Sa i përket sfidave kryesore të mediave të komuniteteve jo-shumicë, nga vlerësimet tona, ato përballen me disa probleme të vazhdueshme, përfshirë: mungesën e burimeve të qëndrueshme financiare, vështirësitë në sigurimin e stafit profesional dhe trajnimeve adekuate, si dhe sfida gjuhësore apo infrastrukturore në disa komuna. Këto sfida mund të adresohen përmes skemave të qëndrueshme të mbështetjes financiare, programeve të trajnimit profesional për gazetarët, si dhe përmirësimit të qasjes në informacion publik në të gjitha gjuhët zyrtare. Zyra për Çështje të Komuniteteve mbetet e përkushtuar të promovojë dhe forcojë rolin e mediave të komuniteteve jo-shumicë përmes politikave dhe mbështetjes institucionale”, vazhdon përgjigja e kësaj zyre. Qëndrueshmërinë financiare si sfidë për mediat e komuniteteve jo-shumicë e konfirmojnë edhe nga OSBE. “Qëndrueshmëria financiare mbetet një sfidë qendrore, kryesisht për shkak të qasjes së kufizuar në tregjet e reklamave dhe një baze të ngushtë ekonomike për mediat që operojnë në gjuhët jo-shumicë. Kjo ndikon në planifikimin afatgjatë, investimet në burimet njerëzore dhe aftësinë për të zgjeruar ose diversifikuar përmbajtjen”, thonë nga Zyra për Media e OSBE-së. TV Mreza që është një rrjet transmetuesish i besueshëm në gjuhën serbe për komunitetin serb në Kosovë dhe përfshinë kanalet si TV Mir, TV Most, TV Puls dhe TV Herc, duket se është përballur me probleme të reduktimit të stafit, për shkak të mungesës së fondeve. “Deri në pandeminë COVID-19 (2020), rreth 30 gazetarë ishin të punësuar brenda Rrjetit Televiziv, i cili përfaqëson të gjithë anëtarët e Shoqatës së Televizioneve Komerciale Serbe në Kosovë. Me ardhjen e pandemisë, numri i gazetarëve të punësuar u përgjysmua, dhe më vonë, për shkak të reduktimit të fondeve ndërkombëtare, tendenca e uljes së numrit të gazetarëve të punësuar vazhdoi. Pra, për momentin, rreth një duzinë gazetarësh po punojnë në të gjitha projektet dhe në të gjitha stacionet televizive që janë anëtare të Rrjetit Televiziv”, tha Mustafa Skenderi, drejtor ekzekutiv në TV Mreza. Ai theksoi se reduktimi i fondeve nga BE pati më shumë ndikim tek ky rrjet i televizioneve serbe, më shumë se sa shkurtimet nga fondet amerikane. “Sa i përket vetë Rrjetit Televiziv, për shkak se anëtarët e tij mund të aplikojnë në mënyrë të pavarur për fonde nga donatorët ndërkombëtarë, ndërprerja e fondeve nga USAID nuk na preku shumë sepse në dekadën e kaluar, fondet e USAID-it nuk u përdorën, ose më mirë të themi, shumë pak projekte u financuan nga USAID përmes TV Mreza ose përmes anëtarëve të tij, megjithëse aplikimet u paraqitën rregullisht në këtë organizatë. Zvogëlimi i fondeve të BE-së pati një ndikim më të madh sepse shumë projekte të TV Mreza, por edhe të anëtarëve të tij, u financuan përmes fondeve të BE-së në Kosovë. Kjo rezultoi gjithashtu në një vëllim të zvogëluar të prodhimit të transmetimeve të formateve dhe cilësisë speciale”, tha ai. I njëjti shtoi se këto zvogëlime fondesh, ndikuan që TV Mreza të operojë vetëm me stafin minimal. “Me një numër të reduktuar të punonjësve, jo vetëm stafi i gazetarëve, por edhe stafi teknik dhe stafi tjetër, funksionimi u reduktua në stafin e nevojshëm. Një pjesë e fondeve për funksionimin e nevojshëm sigurohet nga shërbimet komerciale (rreth 20%), pjesa tjetër kompensohet përmes projekteve nga fondet e BE-së dhe fondeve të disponueshme për projektet mediatike të Ambasadës në Kosovë, të cilat po bëhen gjithnjë e më të pakta. Kryesisht, me uljen e fondeve për projektet mediatike, si rezultat ka rënë edhe prodhimi i të gjitha formateve video”, tha drejtori ekzekutiv i TV Mreza. Probleme më të theksuara duket se shfaqen te TV Mir, i cili është një nga televizionet serbe që operon në Kosovë, drejtor i të cilit është Nenad Radosavljeviq. “Ndikimi ynë më parë matej nga agjenci shumë të rëndësishme që merreshin me shikueshmërinë e mediave serbe në Kosovë. Tani nuk ekziston sepse askush nuk është më i interesuar për të. Ne ende po luftojmë në treg me cilësinë e programeve tona, në kuptimin që asnjë media tjetër në rajon nuk ka një qasje të tillë për të favorizuar programet për fëmijë, dokumentarë dhe shkencore. “Nuk do të shihni kurrë në asnjë televizion në rajon, apo në botë, kaq shumë filma vizatimorë të gjatë çdo mëngjes në orën 08:00 dhe përveç kësaj të premteve dhe të dielave në orën 18:00. Nuk do të shihni një program shkencor dokumentar çdo natë në orën 04:00 dhe të përsëritur në orën 12:00 të ditës tjetër, as programe të ngjashme të hënave dhe të mërkurave në orën 18:00. Çdo segment midis emisioneve është i mbushur me filma vizatimorë të shkurtër si Tomi dhe Xheri, Duki Duka, Dusko Dugousko e të ngjashëm, të cilët nuk ekzistojnë askund sot. Duke pasur parasysh se u shtypëm nga autoritetet në Serbi dhe pa mbështetjen e ndonjë organizate apo institucioni ndërkombëtar të Kosovës, na mbetet të luftojmë. Ne ende po e bëjmë këtë. Askush nuk e kupton se puna jonë është shumë e rëndësishme. Sa i përket edukimit të popullsisë dhe rritjes së nivelit të ndërgjegjësimit të saj. Kemi bërë shumë në lidhje me rrjetet sociale dhe faqen e internetit, por do të ishte mirë të rrisnim më tej ndikimin tonë në informimin e popullsisë, për të cilin nuk kemi fonde, por kemi kapacitetin profesional dhe teknik”, tha Nenad Radosavljeviq. Ashtu si rastet që përmenden më lart, edhe RTV Mir ka hasur në mungesë fondesh, që më pas kanë çuar edhe në reduktim të stafit. “Më parë kishim nëntë punonjës, tani janë pesë. Arsyet financiare janë problemi i vetëm. Më parë, na mbështetnin USAID, IREX dhe shumë organizata të tjera ndërkombëtare, por kjo nuk është më kështu. Pa mbështetjen e autoriteteve lokale ose të ndonjë organizate që ka nevojë për ekzistencën tonë, tani jemi të detyruar të menaxhojmë vetëm në tregun komercial, i cili nuk ekziston sepse ekonomia, tregtia, turizmi dhe shërbimet janë shkatërruar plotësisht. Fondet janë të pamjaftueshme për funksionim normal, por kemi të ardhura të rregullta. Shumë të ulëta. Fondet vijnë nga donacionet. Pyetja se cilët donatorë është e pakuptimtë për ju. Politika e pavarur editoriale e RTV Mir nuk do të ndryshojë kurrë pavarësisht vështirësive financiare. Këto janë parime morale dhe etike nga të cilat nuk do të heqim dorë, pavarësisht faktit se këto parime nuk ekzistojnë më askund në botë”, thotë Nenad nga RTV Mir. Objekti i RTV Mir në Leposaviq Një nga këto media është Radio Gorazhdeci, e cila është themeluar në fillim të viteve 2000, dhe është media kryesore për komunitetin serb në rajonin e Pejës. Kryeredaktori i kësaj radioje, Darko Dimitrijeviq deklaroi: "Radio Gorazhdeci lindi nga nevoja për informacion të besueshëm, të pavarur dhe të përditshëm për komunitetin lokal. Ne informojmë, edukojmë dhe lidhim njerëzit, por gjithashtu bëjmë të dukshme problemet e pakicave serbe jo vetëm në Kosovë, por edhe ndërkombëtarisht". Dimitrijeviq thekson se media e tyre ka një rol të veçantë në rritjen e ndërgjegjësimit qytetar dhe reduktimin e tensioneve. "Ne japim hapësirë për qytetarët të shprehin mendimin e tyre dhe përmes projekteve dhe emisioneve të ndryshme, përpiqemi të krijojmë lidhje brenda komunitetit, veçanërisht me të rinjtë", thotë ai. Por sfidat janë të mëdha, pasi paqëndrueshmëria financiare rrezikon shpesh herë mënyrën e mirëfunksionimit. "Mungesa e fondeve është sfida kryesore. Pa stabilitet financiar, nuk mund të planifikojmë projekte afatgjata, nuk mund të investojmë në staf ose pajisje teknike. Shpesh duhet të zgjedhim temat sipas projekteve që marrin mbështetje financiare, por pavarësia jonë editoriale nuk vihet në diskutim". I pyetur nëse kjo radio është bashkëpunuese me mediat lokale, Dimitrijeviq thotë ndër të tjerash: "Bashkëpunojmë sa herë që është e mundur me media shqipe dhe ndërkomunitare, si dhe me partnerë ndërkombëtarë. Kjo na ndihmon të ndjekim tema të mëdha dhe të rrisim shtrirjen e lajmeve tona. Por pengesat janë reale: barriera gjuhësore, mungesa e fondeve dhe mosbesimi i ndërsjellë mes redaksive". Në anën tjetër, Radio Romano Avazo, themeluar në vitin 2007 në kuadër të OJQ-së Durmish Aslano, është zëri kryesor i komunitetit rom në Prizren. Drejtori i kësaj radioje, Fatmir Menekshe, shpjegoi rëndësinë që kjo media ka pasur në komunitetin të cilit i përket. "Radio Romano Avazo ka një rol të shumëfishtë. Përveç se informon komunitetin rom për politikë, zhvillime sociale dhe ekonomike, ne ruajmë gjuhën rome përmes programeve kulturore dhe muzikore. Radioja është gjithashtu një hapësirë relaksuese dhe sociale për komunitetin tonë. Ne përpiqemi të japim zë komunitetit Rom, edhe pse numri i stafit është i vogël dhe resurset e kufizuara ", thotë ai. Menekshe shpjegon se sfidat financiare ndikojnë drejtpërdrejt në punën e tyre dhe sigurisht që shkurtimet globale të fondeve kanë prekur në këtë rast edhe mediat e komuniteteve jo-shumicë. "Pa mbështetje financiare të qëndrueshme, nuk mund të ruajmë stafin e plotë ose të zhvillojmë projekte të reja. Zëri i komunitetit tonë është i kufizuar, dhe shpesh kemi nevojë të punojmë me vullnetarë. Por pavarësisht këtyre kufizimeve, ne nuk e ndërpresim funksionimin e radios", thotë Menekshe. Ai gjithashtu tregon për bashkëpunimin ndërkomunitar mes mediave lokale, duke thënë se deri më tani ka qenë në nivel mjaft të kënaqshëm. "Bashkëpunojmë me media shqipe dhe serbe, por edhe me partnerë ndërkombëtarë, sidomos në projektet për të drejtat e njeriut dhe diversitetin kulturor. Megjithatë, bashkëpunimi i rregullt është i vështirë për shkak të mungesës së fondeve dhe platformave për komunikim", thekson Menekshe. Drejtori i Radio Romano Avazo tregon se për funksionimin e kësaj medie, është shumë i rëndësishëm investimi dhe mbështetje nga donatorët. "Investimi në media të komuniteteve nuk është vetëm mbështetje financiare, është një investim në demokraci, barazi dhe përfshirje shoqërore. Pa mbështetje të qëndrueshme, shumë tema të rëndësishme për komunitetin rom nuk mund të mbulohen", përfundoi ai. Ndërkohë, një media tjetër, Kosovahaber, e themeluar në vitin 2006, fokusohet kryesisht tek komuniteti turk dhe zëri i tyre është një urë ndërmjet komunitetit dhe shoqërisë më të gjerë. Kryeredaktori i këtij mediumi, Rifat Kirkul thotë: "Kosovahaber ka lindur për të plotësuar nevojën për informim të pavarur, shumëgjuhësh dhe të besueshëm. Ne vetëm nuk informojmë, por edhe promovojmë dialogun ndërmjet komuniteteve dhe ruajmë gjuhën dhe kulturën turke". Ai tregon sfidat e tyre të përditshme, duke thënë se ashtu si te mediat e tjera të lartpërmendura, problemet kryesore vazhdojnë të mbesin ato të sigurimit të fondeve. "Kapitale të kufizuara, infrastruktura teknike jo e mjaftueshme dhe mungesa e stafit të kualifikuar janë pengesat kryesore. Ndonjëherë duhet të mbështetemi tek kontributet vullnetare ose të reduktojmë botimet speciale dhe artikujt hulumtues", shpjegon kryeredaktori i Kosovahaber. Kirkul nënvizon edhe rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme që kjo media ka nevojë që të mbijetojë. "Media komunitare nuk duhet të trajtohet si projekte të përkohshme. Vetëm mbështetja e qëndrueshme mund të sigurojë pavarësi editoriale, profesionalizëm dhe përfshirje të komuniteteve në jetën publike. Vetëm përmes bashkëpunimit ndërmjet mediave dhe mbështetjes së donatorëve mund të sigurohet që zëri i komuniteteve të dëgjohet", thotë Kirkul. Të tri mediat e intervistuara përballen me mungesë të fondeve të qëndrueshme, staf të kufizuar, teknologji të vjetëruar dhe mbështetje minimale institucionale. Kjo ka ndikim të drejtpërdrejtë në kapacitetin për të zhvilluar hulumtime të thelluara, për të mbuluar tema komplekse dhe për të ofruar një gamë të gjerë lajmesh. Të gjitha mediat raportojnë se bashkëpunimi me media të tjera është i dobishëm për ndarjen e përvojave dhe për të rritur dukshmërinë e çështjeve të pakicave. Por barrierat janë reale: mungesa e financave, infrastruktura e kufizuar, dhe platforma të pakta për komunikim ndër-redaksional. Është bërë tashmë evidente se shumica e mediave lokale në Kosovë përballen me mungesë të theksuar fondesh, veçanërisht pas reduktimit të mbështetjes financiare nga programet ndërkombëtare, si ato të Qeverisë Amerikane dhe USAID-it. Të tri mediat e intervistuara janë të një zëri: mbështetja e qëndrueshme financiare nuk është thjesht investim në media, por në demokraci, përfshirje shoqërore dhe ruajtje të identitetit kulturor të komuniteteve pakicë. "Zëri i pakicave nuk duhet të mbetet i padëgjuar", thotë Dimitrijeviq. Tabelë: Media komunitare në Kosovë - burimet financiare dhe bashkëpunimet Por çfarë thotë Asociacioni i Gazetarëve Serbë në Kosovë lidhur me situatën në të cilën ndodhen mediat e komuniteteve jo-shumicë, kryesisht mediat serbe. “Mediat që operojnë në gjuhën serbe përballen me një sërë problemesh - siguri, presione, probleme me përkthimin për shkak të mosrespektimit të Ligjit për Përdorimin e Barabartë të Gjuhëve, qasje diskriminuese të institucioneve si KQZ-ja, Kryeministri i Kosovës, etj. Megjithatë, në fund të vitit, problemi më i madh mbetet mungesa e vazhdimësisë në financimin e medias, si rezultat i së cilës disa redaksi të rëndësishme dhe të pavarura kërcënohen me mbyllje të plotë që nga 1 janari”, thotë Ivana Vanovac, kryetare e Asociacionit të Gazetarëve Serbë në Kosovë. E pyetur për reduktimin e numrit të mediave nga komunitetet jo-shumicë, Ivana u shpreh se është një numër i cili në vazhdimësi ndryshon. “Numri është shumë i ndryshueshëm, por shoqata jonë ka një numër konstant prej rreth 100 anëtarësh, që do të thotë se numri i punonjësve të medias është të paktën dy herë më i madh. Numri i punonjësve po zvogëlohet pikërisht për arsyet që përmendët. Pagat e gazetarëve janë tashmë të pamjaftueshme për t'iu përgjigjur përgjegjësive që mbart ky profesion, dhe madje edhe paga të tilla të pamjaftueshme janë gjithnjë e më të vështira për t'u gjetur, veçanërisht pas mbylljes së USAID-it dhe reduktimit të fondeve të BE-së. Ndërsa, reduktimi i numrit të materialeve që publikohen është shkak dhe pasojë. Më pak punëtorë - më pak përmbajtje, veçanërisht ata që falë burimeve të pavarura të financimit, do të prodhonin pikërisht përmbajtje të tillë të pavarur dhe objektive”, thotë Vanovac. Për fund, ajo pati një thirrje për organizatat ndërkombëtare që të mos e kursejnë mbështetjen e tyre për mediat e komuniteteve jo-shumicë në Kosovë, pasi zëri i çdo komuniteti meriton të dëgjohet. “Mbështetje për projekte afatgjata nga organizata të huaja të pavarura, disa fonde të ndara nga buxhetet e BE-së ose OKB-së dhe të cilat janë përgjegjëse për mbështetjen e zhvillimit të shoqërive demokratike, nga të cilat mediat e pavarura janë një segment i domosdoshëm... Megjithatë, vetë këto organizata janë në proces ristrukturimi, gjë që nënkupton kufizimin e burimeve financiare dhe njerëzore, kështu që nuk mund të mbështetemi as tek ato”, përfundoi Ivana Vanovac, kryetare e Asociacionit të Gazetarëve Serbë në Kosovë.