Nuk i deklaroi 38 mijë dollarë në kufi, 67-vjeçarit në shtëpinë e tij në Korçë i gjenden edhe 35 mijë euro

Policia e Shtetit ka njoftuar për një rast të mosdeklarimit të të hollave në pikën kufitare Kapshticë. Në njoftim, Policia e Shtetit bën të ditur se i dyshuari kishte tentuar t’i fshehte në trup 38 mijë dollarë amerikanë. “Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimit të DVKM Korçë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, në afërsi të Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, kanë ndaluar për kontroll automjetin me drejtues shtetasin Gj. F. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjetën të fshehura në trup 38 000 dollarë amerikanë të padeklaruara’, thuhet në njoftim. Më tej, gjatë kontrollit në banesë, iu gjetën edhe 35 000 euro. Shumat monetare u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve, për shtetasin Gj. F., 67 vjeç, banues në Korçë, u referuan materialet në Prokurori për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/