Gjatë podcastit "Shëndeti në rend të parë", e mbështetur nga United Hospital , gastroenterologu Avni Haziri ka treguar rrezikshmërinë dhe fshehtësinë e disa formave të kancerit të sistemit tretës, duke theksuar se mungesa e simptomave nuk do të thotë mungesë sëmundje. Sipas Hazirit, në mbi 22 vite përvojë profesionale, ai ka hasur raste të shumta të pacientëve me kancer të avancuar të lukthit dhe zorrës së trashë, të cilët nuk kanë pasur asnjë simptomë paralajmëruese. “Mua më ka ndodhur që gjatë këtyre 22 viteve përvojë të kem pacientë me kancer të avancuar të lukthit pa pasur asnjë simptomë. Po ashtu, kam pasur pacientë me karcinomë të zorrës së trashë pa asnjë shenjë klinike”, ka deklaruar Haziri. Ai shpjegon se kanceri i zorrës së trashë konsiderohet një nga format më të rrezikshme, pikërisht për shkak se zhvillohet në heshtje dhe simptomat shfaqen shumë vonë. “Ky lloj kanceri shpesh jep vetëm anemi. Pacienti nuk ka gjak në jashtëqitje, nuk ka kapsllëk, as barkqitje. Pra, nuk ka simptoma tipike që do ta alarmonin menjëherë”, thekson gastroenterologu. Një tjetër aspekt shumë i rëndësishëm që Haziri vë në pah është faktori gjenetik. Ai këshillon që personat që kanë raste të kancerit të lukthit apo zorrës së trashë në familje, duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm. Për më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndeti në rend të parë". /Telegrafi/ - YouTube www.youtube.com