Në vend është shtuar numri i pacientëve që ankohen me viruse dhe gripin sezonal. Mjekët thonë se është mirë që në simptomat e para të vizitohet mjeku amë për terapinë adekuate të sëmundjes. Sipas mjekut Harkan Memedi, simptomat e para të infeksioneve janë me temperaturë të lartë, kollitje, molisje të trupit dhe zakonisht këto simptoma zgjasin një javë. “Çdo prind kur e sheh që ndryshon sjellja e fëmijës apo ka çdo ndryshim që e vëren te fëmija, menjëherë e konsulton mjekun amë dhe normal kur ka infeksione, ku me anë të analizave të gjakut, me kontrollin që e bën mjeku amë i tregohet prindit apo fokusohet prindi në çfarë gjendje është fëmija. Zakonisht infeksionet virusale kalojnë deri në një javë, mirëpo ka infeksione virusale kur vetëm se imuniteti është i ulur te fëmija dhe atëherë mund të mbërthen edhe ndonjë infeksion tjetër bakterial, i cili e prolongon atë gjendje të fëmijës dhe mund të vijë te disa komplikime që mund të përfundojnë edhe në spital, mirëpo zakonisht shumica e rasteve kalojnë deri në një javë.”, – deklaroi pediatri, Harkan Memedi. Memedi thekson se është mirë të bëhen analiza laboratorike për të vërtetuar që pacienti vuan nga ndonjë virus apo baktere. “Kemi shumë faktorë që ndikojnë. Është sezoni i dimrit që paraqiten infeksionet respiratore, ku ndikon njëjtë ndotja e ajrit, mbyllja e njerëzve në një hapësirë, ku nuk mund ta dish a është i infektuar a jo, ku mund të merren infeksionet virusale apo bakteriale, për atë arsye është sezoni i gripave. Është prezent në të gjithë botën, jo vetëm tek ne. Nuk është diçka e re, po ndodh çdo vit kur fillon sezoni i dimrit. Shumica e infeksioneve virusale zakonisht fillon me temperaturë të lartë trupore dy deri në tre ditë. Prindi vetëm që brengoset me atë temperaturë ku mjeku amë e konstaton që përveç temperaturës nuk ka kollitje që e aludon deri tek infeksionet bakteriale dhe me atë e fton prapë për dy ditë të vijë në kontroll, sepse dy ditë i duhen trupit që të krijojë antitruptha dhe pas analizave laboratorike vërtetohet se a bëhet fjalë për virus apo baktere.”, – deklaroi pediatri, Harkan Memedi. Mjekët thonë se kapacitetet në spitale janë të mbushura me fëmijë që janë me viruse të ndryshme dhe me grip. Njëherësh rekomandojnë për kujdes të shtuar në këtë periudhe të dimrit. Të përdoret ushqim i shëndetshëm, supa të ngrohta, çaj, si dhe te evitohen daljet në ambiente të mbyllura pa nevojë që të mos përhapet virusi edhe më shumë.