Gjykata e Durrësit këtë të shtunë ka marrë vendimin lidhur me masat e sigurisë ndaj 8 të arrestuarve lidhur me arratisjen e të dënuarit, Altin Ndoci. Gjykata la nën masën “arrest me burg” Dezdemon Pazajan, Sali Ferrollarin dhe Fatjon Baçin. Në arrest shtëpie u lanë Aulon Çuku dhe Violeta Uka. Ndaj Aranit Çelës, Preng Marvatajt dhe Dorjan Saracit u vendos masa “detyrim paraqitje”, raporton euronews.al Mes tyre janë edhe 6 efektivë të Policisë së Burgjeve, shefi i komanduar i policisë së burgut, si dhe kryeinfemieri i IEVP Durrës. Një ditë më parë u ekzekutua vendimi i gjykatës për masën “arrest në burg” për ish-drejtorin e IEVP Durrës Indrit Cërloj dhe “arrest në shtëpi ” për mjeken e burgut, Ylfete Sema. I paraburgosuri, Altin Ndocit u arratis këtë të martë më 13 janar nga ambientet nga spitali Infektiv i Durrësit. Ndoci i shoqëruar nga dy efektivë të policisë së burgut u paraqitën në spital për të kryer kontrolle dhe ekzaminime ndaj të paraburgosurit. Ndoci gjatë kryerjes së analizave ka përfituar nga momenti dhe ka goditur efektivët që prisnin jashtë derës së laboratorit. Mësohet se gjithashtu është qëlluar me arme gjate momentit të arratisjes së tij. Pas arratisjes, Ndoci ka shkuar pranë një parkimi ku e priste një makinë Audi e bardhë A7 me targa AA700RS, e cila e ka larguar nga vendi i ngjarjes. Ndoci konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ai akuzohet nga SPAK për vrasje, grup kriminal etj. Ndoci është në gjykim si pjesë e dosjes “Plumbi i Artë” për masakrën e Bradasheshit, ku mbeti i vrarë vëllai i Endrit Alibejt, xhaxhai i tij, Arben Dylgjeri dhe një shtetasi turk. Ai u arrestua në vitin 2020 i akuzuar për vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës si dhe për vrasjen e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë, po në Durrës.