Vendimi për pezullimin e vizave të emigrimit për qytetarët nga Maqedonia e Veriut, i marrë nga SHBA, është miratuar në kuadër të politikës së tyre të përforcuar të migrimit, vlerëson ish-ambasadori i vendit në SHBA, Vasko Naumovski. Në një deklaratë për Alsat, Naumovski theksoi se pavarësisht këtij vendimi, për vizat e qëndrimit në SHBA, të cilat janë më të kërkuarat nga qytetarët tanë, do të mund të aplikohet më tej. “Përkohësisht i ngrijnë procedurat për vizat e emigrimit, me qëllim të verifikohet nëse i gjithë ai sistem për përdorimin e ndihmës sociale është në përputhje me ligjet e tyre apo jo. Bëhet fjalë vetëm për ndërprerje të përkohshme të lëshimit të vizave të emigrimit, dhe jo për ato turistike, apo vizitat afariste apo vizat studentore të cilat në masë më të madhe përdoren nga qytetarët tanë”, Deklaroi Vasko Naumovskit, ish-ambasador i Maqedonisë në SHBA. Menjëherë pas vendimit që Maqedonia e Veriut të shtohet në listën e vendeve për të cilat nuk do të lëshohen viza emigrimi për qëndrim në SHBA, kryeministri Hristijan Mickoski tha se megjithatë së shpejti pret lajme të mira nga Uashingtoni. Sipas Naumovskit, lajmet e mira mund të jenë në drejtim të heqjes së vizave turistike për hyrje në SHBA, diçka për të cilën ai thotë se po negociohet rreth 15 vite. “Po ndërmerren disa hapa në fusha të ndryshme, me qëllim që të plotësohen kriteret që qytetarët e Maqedonisë të jenë pjesë e qytetarëve të cilëve nuk do t’u nevojiten viza për hyrje në SHBA. Ky është një qëllim afatgjatë dhe besoj se në periudhën përpara nesh, ai dialog do të intensifikohet dhe eventualisht të presim rezultate në atë drejtim”, Tha Vasko Naumovski, ish-ambasador i Maqedonisë në SHBA. Nga ana tjetër, sipas të dhënave të fundit të Departamentit të Shtetit, numri i vizave të emigrimit nga Maqedonia në SHBA ka shënuar ulje në dekadën e fundit. Kështu, në vitin 2024 numri i vizave të lëshuara për shtetas të Maqedonisë ishte 573, ndërsa në vitin 2016 ky numër kishte qenë 1.354. /Alsat.mk