Pse ndiejmë nevojën të shkruajmë poezi? Kur fjala bëhet strehë dhe shpëtim për shpirtin

A është kjo një dhunti apo një thirrje e brendshme për të mbijetuar përmes fjalës? Për shumë prej nesh, poezia nuk është as luks e as hobi, por mënyra më e heshtur për të marrë frymë emocionalisht Shkruan: Antigona Gashi Shumë gra dhe sidomos krijuese të reja ndiejnë një nevojë të brendshme për të shkruar. Jo sepse ëndërrojnë domosdoshmërisht botime apo famë, por sepse brenda tyre ka diçka që kërkon të dalë: një mendim që nuk di ku të shkojë, një ndjenjë që nuk di si të thuhet, një dhimbje që nuk gjen fjalë në bisedat e zakonshme. Shumë poete thonë se nuk e kanë zgjedhur poezinë, ajo i ka zgjedhur ato. Sepse ka gjëra që nuk mund t’i thuash askujt. Ka histori që, nëse mbeten brenda, dhembin edhe më shumë. Maya Angelou e ka thënë bukur: “Nuk ka dhimbje më të madhe sesa të mbash brenda vetes një histori të patreguar.” Shumë vajza fillojnë të shkruajnë fshehurazi, në një fletore që nuk ia tregojnë askujt. Shkruajnë kur janë të trishtura, kur janë të dashuruara, kur ndihen të vetmuara, kur nuk guxojnë t’ia thonë askujt çfarë ndiejnë. Poezia bëhet shoqja e tyre e parë e besueshme. Disa gra fillojnë të shkruajnë pas një humbjeje: pas një ndarjeje, pas vdekjes së dikujt të dashur, pas një zhgënjimi të madh. Jo sepse duan të bëhen shkrimtare, por sepse dhimbja kërkon dalje. Fjala bëhet mënyra më e sigurt për të mos u mbytur brenda vetes. Nga ana psikologjike, shkrimi i poezisë funksionon shpesh si një formë vetë-terapie. Kur i hedh ndjenjat në letër, fillon t’i kuptosh më mirë. Fillon ta emërtosh ankthin, frikën, trishtimin, zemërimin. Shumë psikologë e konsiderojnë shkrimin kreativ si mënyrë për të ulur tensionin emocional dhe për të përpunuar dhimbjen. Sylvia Plath ka thënë: “Shkruaj sepse ka një zë brenda meje që nuk rri dot i heshtur.” Këtë zë e kanë shumë gra dhe vajza të reja. Shpesh u thuhet se janë “shumë të ndjeshme”, “shumë emocionale”, “i marrin gjërat shumë afër zemrës”. Poezia bëhet vendi ku kjo ndjeshmëri nuk është dobësi, por mënyrë për ta kuptuar botën dhe veten. Ka gra që nuk kanë me kë të flasin. Nuk duan t’i ngarkojnë fëmijët, nuk ndihen të kuptuara nga familja, nuk kanë shoqe që t’i dëgjojnë vërtet. Atëherë shkruajnë. Letra bëhet vendi ku mund të jenë të sinqerta pa u frikësuar. Shumë vajza shkruajnë për trupin e tyre, për pasiguritë, për frikën se nuk janë “mjaftueshëm të bukura”, “mjaftueshëm të zonjat”, “mjaftueshëm të mira”. Poezia bëhet vendi ku e pranojnë veten. Disa shkruajnë për të ruajtur kujtime: për nënën, për fëmijërinë, për një dashuri të humbur, për një shtëpi që nuk ekziston më. Poezia bëhet mënyrë për ta ndalur pak kohën dhe për të mos i lënë gjërat e dashura të zhduken. Shumë prej nesh ndihen të padëgjuara në familje, në punë, në shoqëri. Flasin, por askush nuk i dëgjon vërtet. Në poezi, zëri i tyre më në fund ekziston. Nga ana shpirtërore, poezia është si një bisedë e heshtur me veten. Ndonjëherë si lutje, ndonjëherë si rrëfim. Ajo ndihmon të kuptosh pse disa plagë nuk mbyllen shpejt, pse disa kujtime kthehen vazhdimisht, pse disa gjëra nuk largohen edhe kur do. Në këtë kuptim, poezia ka edhe vlerë shëndetësore për shpirtin. Nuk i shëron të gjitha, por e bën barrën më të lehtë. Të ndihmon të marrësh frymë. Shpesh, poezia nuk shkruhet për lexuesin. Shkruhet për vetë njeriun që po e shkruan. Që të mos shpërthejë nga brenda. Që të mos heshtë. Që të mos e humbasë veten. Në heshtjen time… Për mua, poezia është strehë. Është vendi ku mund të jem e lodhur, e pasigurt dhe e ndjeshme, pa pasur nevojë të shtirem e fortë. Është mënyra ime për t’i vënë fjalë asaj që ndiej dhe për t’i dhënë formë asaj që, përndryshe, do të mbetej e pashprehur. Shkrimi më ndihmon të kuptoj veten dhe të mos i mbaj të gjitha brenda. Vargjet kanë një fuqi të çuditshme: nga një detaj i vogël krijojnë kuptim dhe nga një dhimbje e madhe bëjnë fjalë që mund të mbahen. Ato i japin peshë asaj që dhemb dhe dritë asaj që mezi shihet. Poezia është kërkim i bukurisë dhe, si e tillë, kurrë nuk është e kotë. Por besoj edhe se ajo duhet të flasë për jetën ashtu siç është, pa zbukurime të rreme dhe pa frikë nga e vërteta. Unë besoj se shkrimi i poezisë nuk mund të mësohet, sepse asnjë art i vërtetë nuk mund të mësohet. Pa talent të lindur nuk ka vepër artistike. Frymëzimi vjen në çast: është një shpërthim që të vërshon në sy, që të ngulitet në fyt, që papritur të përfshin të gjitha shqisat. Duhet ta presësh i përgatitur. Ai të përplas në një moment dhe, nëse nuk i përgjigjesh menjëherë, ai zhduket. Nuk merret me zemra mosmirënjohëse. Shkrimi i poezisë për mua është një balsam i vërtetë për shpirtin. Dhe ndonjëherë, unë nuk shkruaj për të qenë e fortë. Shkruaj për të mbijetuar . /Telegrafi/