Studimet zbulojnë: Shumica e personave mbi 100 vjet kanë këtë grup gjaku

Jetëgjatësia varet nga shumë faktorë: gjenetika, mënyra e jetesës, ushqimi, stresi, aktiviteti fizik… por gjithnjë e më shumë studime sugjerojnë se edhe grupi i gjakut mund të luajë një rol të rëndësishëm në sa gjatë dhe sa shëndetshëm jetojmë Çdo grup gjaku ka veçoritë, përparësitë dhe dobësitë e veta, por sipas hulumtimeve shkencore, një grup gjaku duket se ka një avantazh të dukshëm kur bëhet fjalë për rezistencën ndaj sëmundjeve dhe jetëgjatësinë – grupi 0 . Studime të shumta kanë treguar se personat me grup gjaku 0 kanë rrezik më të ulët për sëmundje kardiovaskulare , përfshirë infarktin e zemrës dhe goditjen në tru. Po ashtu, tek ata vërehet rrezik më i vogël për disa lloje kanceri , veçanërisht për kancerin e stomakut dhe të pankreasit. Një nga shpjegimet kryesore lidhet me faktin se gjaku i grupit 0 ka më pak faktorë që nxisin mpiksjen e gjakut . Meqenëse shumica e infarkteve dhe goditjeve në tru shkaktohen pikërisht nga mpiksjet e gjakut, kjo veçori u jep këtyre personave një avantazh biologjik shumë të rëndësishëm. Rezistenca më e madhe ndaj sëmundjeve serioze, në mënyrë logjike, do të thotë edhe më shumë gjasa për një jetë më të gjatë , transmeton Telegrafi. Një studim i rëndësishëm, i publikuar në revistën shkencore PLOS Genetics , i udhëhequr nga profesori Stuart Kim nga Universiteti Stanford, ka analizuar gjenet e mbi 800 personave mbi 100 vjeç dhe rreth 5.400 personave në të 90-at . Rezultatet treguan se personat që jetojnë shumë gjatë kanë më pak gjene që lidhen me sëmundje kronike , pra thjesht… sëmuren më rrallë. Studiuesit identifikuan katër gjene kyçe që lidhen me shpejtësinë e plakjes , ndër to: një gjen që lidhet me ndarjen e qelizave, një gjen i lidhur drejtpërdrejt me grupin e gjakut, një gjen që ndikon në rrezikun për Alzheimer, dhe një gjen i lidhur me jetëgjatësinë. Dhe pikërisht këtu del sërish në pah grupi i gjakut 0: ai rezultoi të ishte më i shpeshti tek personat që jetojnë mbi 100 vjet . “Ne zbuluam se njerëzit jetojnë më gjatë, të paktën pjesërisht, sepse nuk sëmuren aq shpesh,” ka thënë profesori Kim. Ai shton se ka shumë gjasa që këta njerëz të kenë edhe mekanizma mbrojtës kundër plakjes , të cilët shkenca ende nuk i ka zbuluar plotësisht. Natyrisht, ekspertët theksojnë se grupi i gjakut nuk është një garanci për jetë të gjatë . Ai është vetëm një nga shumë faktorët. Mënyra e jetesës, ushqimi i shëndetshëm, aktiviteti fizik, gjumi, menaxhimi i stresit dhe shmangia e zakoneve të dëmshme mbeten vendimtare. Por një gjë është gjithnjë e më e qartë: nëse keni grup gjaku 0, biologjia juaj ju jep një avantazh të vogël – ndërsa pjesën tjetër duhet ta bëni vetë. /Telegrafi/