Studimi nga Japonia zbulon se një bakter i zakonshëm në gojë lidhet me forma më të rënda të sklerozës multiple dhe me përkeqësim të ndjeshëm të gjendjes neurologjike Shkencëtarët po zbulojnë gjithnjë e më shumë prova se sëmundjet e rënda të mishrave të dhëmbëve (parodontiti) nuk ndikojnë vetëm në gojë, por mund të kenë pasoja serioze edhe për sistemin nervor qendror , përmes inflamacionit kronik. Tani, një studim i ri nga Universiteti i Hiroshimës në Japoni, i publikuar në revistën shkencore Scientific Reports , sugjeron se ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes një bakteri oral dhe ashpërsisë së invaliditetit te pacientët me sklerozë multiple (MS) . Çfarë zbuluan studiuesit? Ekipi japonez zbuloi se pacientët me sklerozë multiple që kishin sasi të lartë të bakterit Fusobacterium nucleatum në gojë, një bakter i zakonshëm te sëmundjet e mishrave të dhëmbëve – kishin shumë më shpesh invaliditet të moderuar deri të rëndë . Ky invaliditet u mat me shkallën standarde EDSS (Expanded Disability Status Scale), e cila shkon nga 0 deri në 10. Pacientët me nivel të lartë të këtij bakteri: kishin rreth 10 herë më shumë gjasa të kishin invaliditet të rëndë dhe 61.5% e tyre ishin në kategorinë e invaliditetit të moderuar ose të rëndë (EDSS ≥ 4), krahasuar me vetëm 18.6% te ata që kishin nivele të ulëta të këtij bakteri. Pse është kjo e rëndësishme? Skleroza multiple është një sëmundje kronike autoimune që dëmton mbështjellësin mbrojtës të nervave (mielinën) dhe çon në probleme serioze neurologjike, përfshirë: dobësi muskulore, probleme me ecjen, çrregullime të shikimit, lodhje të rëndë dhe invaliditet progresiv. Shkaku i saktë i MS ende nuk dihet, por mendohet se luajnë rol infeksionet virale, duhanpirja, mungesa e vitaminës D dhe predispozita gjenetike. Tani, infeksionet kronike në gojë po shfaqen si një faktor i ri i mundshëm për përkeqësimin e sëmundjes . Çfarë është parodontiti? Parodontiti është një infeksion kronik bakterial që: shkakton inflamacion të vazhdueshëm në mishrat e dhëmbëve, shkatërron indin lidhës dhe kockën që mban dhëmbët, dhe shpesh përfundon me humbje të dhëmbëve . Kjo sëmundje është shumë e përhapur në botë (prek rreth 40–60% të njerëzve ) dhe tashmë dihet se rrit rrezikun për sëmundje të zemrës, diabet, artrit reumatoid. “Boshti gojë-tru”: një lidhje e re e rrezikshme? Profesor Masahiro Nakamori nga Spitali Universitar i Hiroshimës shpjegon: “Ndërsa mikrobiomi i zorrëve është studiuar gjerësisht te skleroza multiple, roli i mikrobiomës orale ka mbetur pothuajse i paeksploruar. Meqë goja është burim i rëndësishëm i inflamacionit kronik, kuptimi i kësaj lidhjeje mund të hapë rrugë të reja për parandalim dhe trajtim.” Studiuesit zbuluan se kjo lidhje nuk u vu re te sëmundje të tjera të ngjashme neurologjike si: NMOSD (çrregullimi i spektrit të neuromielitit optik) dhe MOGAD, çka sugjeron se kjo “bosht gojë-tru” mund të jetë specifik për sklerozën multiple . “Bakteri-urë” që lidh gojën me trurin Sipas profesor Hiroyuki Naito , Fusobacterium nucleatum mund të veprojë si një “bakter-urë” : lidh komunitetet bakteriale në biofilmin e dhëmbëve, ndërlidh inflamacionin oral me përkeqësimin neurologjik . Edhe pasi studiuesit morën parasysh faktorë si mosha, kohëzgjatja e sëmundjes, numri i relapsave dhe tipi i sklerozës multiple, lidhja mbeti shumë e fortë . Çfarë do të thotë kjo për pacientët? Shkencëtarët theksojnë se kujdesi për shëndetin oral mund të mos jetë vetëm çështje dhëmbësh, por edhe çështje neurologjike . Në të ardhmen do të studiohet nëse trajtimi i parodontitit dhe higjiena e rregullt orale, mund të ngadalësojnë përparimin e sklerozës multiple ose të lehtësojnë invaliditetin . /Telegrafi/