Aktivisti politik në Serbi, Miodrag Kapor, ka nxitur tensione gjatë protestës së mbajtur të shtunën në Novi-Sad, pasi ka shpalosur flamurin kombëtar shqiptar mes turmës së protestuesve. Sapo flamuri u pa nga pjesëmarrësit në protestë, situata u tensionua, duke rezultuar në shtyrje dhe fyerje verbale ndaj Kaporit, i cili më pas u nxor me dhunë nga turma. “Ai e solli flamurin shqiptar këtu për t’u tallur me ne”, citohet të ketë thënë një nga protestuesit. Pas incidentit, Kapor ka deklaruar se ka dhënë dëshmi në Polici, duke sqaruar se me vete kishte pasur edhe një flamur kroat. “I solla një flamur të Shqipërisë dhe një të Kroacisë. Dua të jem i qartë: këta flamuj janë simbole zyrtare të njohura nga Këshillat e Komuniteteve në Serbi. I solla sepse studentët kanë thënë se këta janë flamujt që mund të sillen në protesta”, ka deklaruar Kapor. Ai shtoi se qëllimi i tij ishte rritja e tolerancës dhe unitetit mes protestuesve. “Siç e kemi parë edhe më herët, flamuri boshnjak shfaqet rregullisht në protesta. I sollëm këta dy flamuj për të promovuar tolerancën, në mënyrë që të gjithë të jemi bashkë në këtë luftë”, theksoi ai. Protesta në Novi-Sad u mbajt nga studentët dhe qytetarët që vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për vdekjen e 16 personave, të cilët humbën jetën vitin e kaluar si pasojë e shembjes së një strehe në stacionin e trenit. Demonstratat janë shndërruar në simbol të pakënaqësisë qytetare ndaj institucioneve, duke kërkuar përgjegjësi dhe transparencë për ngjarjen tragjike. View this post on Instagram A post shared by SERBIA LIVE - VESTI (@serbialive_vesti)