Kontrata e David Alabas me Real Madridin skadon në verën e këtij viti dhe për të siguruar minuta të rregullta loje në prag të Kupës së Botës me përfaqësuesen e Austrisë, mbrojtësi po shqyrton seriozisht një largim që gjatë afatit dimëror. Një klub i Superligës turke tashmë po tenton të veprojë shpejt. Koha e David Alabas te Real Madridi pritet të përfundojë jo më vonë se vera e ardhshme, kur kontrata e tij aktuale skadon. Lëndimet e shpeshta, disa prej tyre serioze, e kanë penguar ish-lojtarin e Bayern Munich që të ketë vazhdimësi te “Los Blancos”, duke bërë që ai rrallëherë ta veshë fanellën e bardhë në ndeshje zyrtare. Megjithatë, 34-vjeçari vazhdon të jetë titullar i rregullt me kombëtaren austriake dhe ka nevojë për më shumë praktikë në nivel klubesh, në mënyrë që të mbetet konkurrues në arenën ndërkombëtare. Sipas raportimeve të medias turke Fanatik , Besiktas e ka vënë në shënjestër qendërmbrojtësin dhe tashmë ka nisur negociatat me përfaqësuesit e lojtarit. Kontakti zyrtar me Real Madridin pritet të ndodhë së shpejti, ndërsa klubi nga Stambolli raportohet se është i gatshëm të paguajë një tarifë të vogël transferimi për shërbimet e tij. Besiktas synon të veprojë me shpejtësi për të kaluar konkurrentët e tjerë në garë, të cilët nuk mungojnë. Përveç Fiorentinës, interesim për Alabën kanë shfaqur edhe disa klube të MLS-së, përfshirë New York City FC dhe Charlotte FC. Ndërkohë, raportohet se agjenti i tij, Pini Zahavi, po e pozicionon lojtarin edhe në tregun e Arabisë Saudite. /Telegrafi/