Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka filluar një lloj parafushate në rrjetet e saj sociale, ku po promovon punën e saj pesëvjeçare. Kjo vjen në një kohë kur në opinion po flitet se emri i saj mund të propozohet edhe për një mandat të dytë në krye të shtetit. Sipas analistëve politikë, Osmani përmes kësaj qasjeje po ushtron presion publik medial ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për një rikandidim të mundshëm, duke synuar që para opinionit publik të dëshmojë se zgjedhja e saj është e duhura për vendin. Analisti politik, Artan Muhaxhiri, ka thënë për KosovaPress se pozita e presidentes aktuale është e vështirë për shkak të ndryshimeve në kontekstin politik krahasuar me vitin 2021, kur ajo u zgjodh për herë të parë. Sipas tij, çdo gjë do të varet nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, subjektit që i fitoi bindshëm zgjedhjet e 28 dhjetorit. Kjo, për faktin se Osmani e Kurti nuk ishin gjithmonë në linjë të njëjtë karshi zhvillimeve në vend dhe atyre ndërkombëtare. “Presidentja Osmani është në pozitë shumë të vështirë sepse i gjithë konteksti politik ka ndryshuar në raport me vitin 2021, kur është zgjedhur për herë të parë dhe tash varet nga shumë faktorë të tjerë të cilët nuk janë në dorën e saj.. Çdo gjë do të varet nga Kurti sepse 51 përqindëshi ia jep këtë mundësi dhe deri në momentin e fundit as vet presidentja Osmani, nuk do ta ketë të qartë nëse do të rikandidohet sërish nga Kurti apo jo.. Presidentja Osmani në nivelin vendor ka qenë plotësisht në binarët e njëjtë me Kurtin gjatë mandatit tij, mirëpo në arenën ndërkombëtare ka pasur disa suksese, ka pasur një dallim me Kurtin sepse ka qenë më e pranueshme dhe më bashkëpunuese me faktorin ndërkombëtarë, me SHBA-të dhe vendet e fuqishme të BE-së. Disa punë janë meritë e saj, por gjithsesi besoj që është e qartë sesa ka qenë ndikimi i saj real politik”, ka thënë Muhaxhiri. Sipas tij, kjo parafushatë e presidentes, përveç presionit publik medial ndaj Kurtit, synon edhe krijimin e një arsyetimi në rast se ajo nuk rikandidohet, në mënyrë që të mbahet mend si lidere e suksesshme. “Është duke dashur që të bëj një presion publik medial ndaj Kurtit por edhe nëse eventualisht nuk rikandidohet atëherë të ketë një lloj arsyetimi për atë se nuk ka qenë arsyeja e mos punës saj, mos suksesit saj, por ka qenë në rrethana tjera të cilat janë diktuar nga Kurti dhe gjithsesi është një dëshirë e saj që mandati i saj të mbahet mend me suksese, sipas perspektivës së saj, por gjithsesi vendimin më realist e japin qytetarët dhe kjo nuk varet kryesisht nga fushata mediale e presidentes”, ka shtuar ai. Ndërkohë, analisti tjetër politik, Dorajet Imeri, ka vlerësuar se komunikimi i Osmanit me publikun është i pritshëm, por nuk është vendimtar për procesin e zgjedhjes së presidentit. Për tepër, Imeri thotë se një pjesë e punëve që po prezanton Osmani në rrjete sociale nuk janë të saj. Ai ka shtruar edhe pyetjen se pse presidentja Osmani nuk flet me LDK-në në vend të parafushatës, për të ofruar ofertën dhe qëndrimet e saj për të qenë e para e vendit, edhe për në mandat. “Është e pritshme, në përpjekjen e saj për të krijuar në opinion të përgjithshëm që zgjedhja e saj është e duhura, e nevojshme. Nuk parashihet me ligj që të ketë një periudhë fushate për kandidatët për president. Gjithsesi kjo nuk e ndalon që të komunikoj me publikun, kjo nuk mund të ndryshoj sjelljen e partive sepse nuk varen detyrimisht nga opinioni publik i krijuar në një moment të caktuar, së paku jo tek rasti i presidentit, mund ti kushtoj pastaj me votë... Një pjesë e punëve që po prezanton Osmani nuk janë të saj, por nuk do të thotë që si ka bërë mirë si angazhim që ka pasur profesionalisht... Pyetja që shtrohet këtu është se pse Osmani nuk flet me LDK-në dhe besoj se do të ishte më mirë prej saj që të ftonte kreun e LDK-së, për të ofruar qëndrimet e saj dhe ofertën e saj për të qenë e para e vendit në kuptimin e komunikimit me partitë që duhet ta votojnë Osmanin”, ka thënë Imeri. Presidentja Osmani ka disa ditë që po publikon video përmbledhëse të takimeve zyrtare gjatë mandatit pesëvjeçar të saj. Ajo ka publikuar fjalimin e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së përballë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Më pas edhe një video midis ushtrisë amerikane në akademinë e në Ëest Point, si edhe në Parlamentin Evropian, e poashtu edhe vizitën e presidentin e SHBA-së Donald Trump, në seli të NATO-s dhe plot vizita të tjera. Të gjitha këto, me mbishkrimin “Kur Kosova flet me dinjitet, bota dëgjon. Zëri i Kosovës po fuqizohet çdo ditë. Shpërndaje edhe ti, që ta dëgjojnë të gjithë”. Osmani më 4 prill të vitit 2021, ishte zgjedhur për një mandat pesëvjeçar. Sipas Kushtetutës, zgjedhja e presidentit të ri duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Nëse deri më 5 mars nuk zgjidhet presidenti i ri, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda 45 ditësh. /KP/