Perez e do te Reali, vjen përgjigja nga Jose Mourinho

Trajneri i Benfikës, José Mourinho, ka hedhur poshtë kategorikisht thashethemet që e lidhin atë me një rikthim të mundshëm te Real Madridi. Së fundmi, disa raportime kanë pretenduar se presidenti i “Los Blancos”, Florentino Pérez, po shqyrton mundësinë e rikthimit të trajnerit portugez për një mandat të ri në stolin madrilen, por këto spekulime janë mohuar nga vetë Mourinho. Special One e ka quajtur këtë si 'telenovelë' dhe ka hedhur poshtë mundësinë të marrë drejtimin e Realit. “Mos u mbështetni tek unë për telenovela. Ka telenovela të mira, por janë shumë të gjata; nëse humbisni një ose dy episode, pastaj humbisni gjurmët. Mos u mbështetni tek unë, sepse unë nuk shikoj telenovela”, u shpreh ish-trajneri i Chelseat. Trajneri portugez drejtoi Real Madridin për tre sezone, nga viti 2010 deri më 2013. Pas aventurës me madrilenët, Mourinho ka qenë në krye edhe të Chelsea-t, Manchester United-it, Tottenham Hotspur-it, Romës, Fenerbahçes dhe aktualisht të Benfikës. /Telegrafi/