Eugen Cakolli nga KDI, ka reaguar ashpër lidhur me dyshimet për manipulim të votave të kandidatëve gjatë procesit të numërimit, duke kërkuar nga Prokuroria që të nisë menjëherë hetimet dhe ndjekjet penale. Në një reagim publik, Cakolli thekson se manipulimet e evidentuara në disa vendvotime dhe komuna kanë marrë përmasa industriale dhe nuk mund të konsiderohen si gabime njerëzore apo rastësi. “Ku është dhe çka po pret Prokuroria që nuk po nisë hetimet dhe ndjekjet penale për manipulimin e votave të kandidatëve – që në disa vendvotime e komuna kanë marrë përmasa industriale”, ka shkruar Cakolli. Sipas tij, emrat e komisionerëve për secilën tavolinë të numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit dihen, por manipulimet nuk janë kryer vetëm nga ta. “Dhjetëra e qindra vota të shtrembëruara në një vendvotim të vetëm, e mijëra në nivel komune – kryesisht për kandidatë të caktuar dhe në komunat e tyre – nuk janë as rastësi, as gabim njerëzor,” ka shkruar Cakolli. Ai vlerëson se përfshirja e kandidatëve të caktuar në këto skema është e mundshme dhe se hetimet duhet të përfshijnë edhe ta, për të zbardhur plotësisht rastin. Cakolli apelon që organet e drejtësisë të veprojnë pa vonesë, në mënyrë që të mbrohet integriteti i procesit zgjedhor dhe besimi i qytetarëve. “Kështu që, hetimi, pashmangshëm duhet t’i përfshijë edhe ata”, ka shkruar Cakolli./ Telegrafi/