Çfarë duhet të hani (dhe çfarë jo) para nxjerrjes së gjakut? Gabimet që ndikojnë në rezultatet!

Ekspertët shpjegojnë pse përgatitja para nxjerrjes së gjakut është po aq e rëndësishme sa vetë analiza Nxjerrja e gjakut është një nga procedurat diagnostikuese më të shpeshta dhe shpesh përfaqëson hapin e parë në zbulimin e sëmundjeve dhe çrregullimeve të ndryshme, por edhe në kontrollet rutinë parandaluese. Analizat e gjakut ndihmojnë në monitorimin e sëmundjeve kronike, zbulimin e çrregullimeve metabolike, mungesave ushqyese dhe vlerësimin e statusit hormonal. Siç thekson Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) , kontrollet periodike laboratorike janë thelbësore për zbulimin e hershëm të sëmundjeve dhe për monitorimin e shëndetit të përgjithshëm. Gjaku zakonisht merret në orët e mëngjesit, në gjendje esëll. Procedura është e shkurtër dhe pas saj mund të vazhdohet normalisht me aktivitetet e përditshme. Megjithatë, siç rekomandojnë laboratorët klinikë dhe Shoqata Amerikane e Kimisë Klinike (AACC) , përgatitja para nxjerrjes së gjakut është vendimtare që rezultatet të pasqyrojnë gjendjen reale shëndetësore. Ekspertët paralajmërojnë se ushqimi dhe pijet e konsumuara një ditë ose mbrëmjen para analizës mund të ndikojnë ndjeshëm në vlerat laboratorike. ACC dhe Mayo Clinic bëjnë të ditur se, një vakt i pasur me yndyrë mund të rrisë përkohësisht trigliceridet, ndërsa ushqimi i konsumuar pak para analizës ndikon në rritjen e glukozës në gjak. Alkooli, siç raportohet në udhëzimet laboratorike të National Institutes of Health (NIH) , ndikon në enzimat e mëlçisë, sheqerin në gjak dhe nivelin e hidratimit, ndërsa mungesa e lëngjeve mund ta bëjë më të vështirë vetë procedurën e marrjes së gjakut, transmeton Telegrafi. shutterstock Një ditë para analizës rekomandohet ushqim i zakonshëm dhe i balancuar, pa dieta ekstreme apo programe “detoks”. Sipas udhëzimeve të Mayo Clinic , qëllimi i përgatitjes nuk është “rregullimi” artificial i analizave, por sigurimi i një pamjeje reale të shëndetit. Vaktet duhet të jenë të shpërndara normalisht gjatë ditës, me ushqime të lehta dhe yndyrë të moderuar, duke shmangur mbingrënien në mbrëmje. Darka duhet të jetë e lehtë dhe e konsumuar të paktën dy deri në tre orë para gjumit. Një pjatë e ekuilibruar përfshin perime, proteina dhe karbohidrate komplekse, si peshk me perime dhe quinoa, me pak vaj ulliri. Alkooli duhet shmangur plotësisht të paktën 24 orë para nxjerrjes së gjakut, sepse ai mund të çrregullojë rezultatet e analizave biokimike, veçanërisht ato të mëlçisë dhe lipideve në gjak. Po ashtu, rekomandohet shmangia e ushqimeve shumë të yndyrshme, shumë pikante dhe porcioneve të mëdha në mbrëmje. Uji, siç theksojnë mjekët laboratorikë, duhet pirë rregullisht gjatë gjithë ditës për të parandaluar dehidratimin. Në shumicën e rasteve, Shoqata Amerikane e Diabetit (ADA) dhe laboratorët standardë, kërkojnë një pauzë nga ushqimi prej tetë deri në dymbëdhjetë orësh para analizës, veçanërisht kur maten glukoza, yndyrnat në gjak dhe disa parametra metabolikë e hormonalë. Një pyetje e shpeshtë është nëse lejohet kafeja para nxjerrjes së gjakut. Sipas Mayo Clinic dhe Harvard Health Publishing , edhe pse kafeja nuk përmban kalori, ajo ndikon në nivelin e kortizolit, tensionin arterial dhe sheqerin në gjak. Për këtë arsye, mjekët theksojnë se kafeja në stomak bosh nuk rekomandohet para analizës. Këshilla më e sigurt është që fillimisht të kryhet nxjerrja e gjakut, më pas të hahet mëngjesi dhe vetëm atëherë të pihet kafeja. /Telegrafi/