Carrick e ndalon largimin e yllit të skuadrës gjatë janarit

Sipas Fabrizio Romano, Kobbie Mainoo do të qëndrojë te Manchester United edhe gjatë këtij muaji, pavarësisht se më herët kishte shprehur dëshirën për t’u larguar në formë huazimi. Mesfushori 20-vjeçar ishte lënë jashtë planeve nga Ruben Amorim, por gjithçka ndryshoi me ardhjen e Michael Carrick në krye të skuadrës. Mainoo u aktivizua si titullar në ndeshjen e tij të parë në Premier League nën drejtimin e Carrick dhe shkëlqeu në fitoren 2-0. Manchester United nuk ka qenë kurrë plotësisht i bindur për idenë e largimit të talentit të ri, megjithatë do ta kishte konsideruar me hezitim një huazim vetëm në rast se ai do të mbetej vazhdimisht në stol. Tani, klubi nga Liga Premier nuk ka asnjë arsye për të lejuar largimin e Mainoo, i cili gëzon besimin e plotë të Carrick. Ky zhvillim vjen si një goditje për Napolin dhe klubet e tjera të interesuara, të cilat kishin pyetur për një huazim të mundshëm. /Telegrafi/