Kandidatja për deputete nga radhët e PDK-së, Luljeta Veselaj-Gutaj ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në procesin zgjedhor, duke thënë se i është cenuar integriteti personal dhe politik, si dhe integriteti i shtetit demokratik. Në një postim publik, ajo ka theksuar se këtë vit shënon 20 vjet angazhim politik dhe se për herë të parë, sipas saj integriteti i saj është cenuar nga keqmenaxhimi i procesit zgjedhor. “20 vjet të jetës sime kam punuar me profesionalizëm, parime të drejta, kompetencë dhe integritet, i cili për herë të parë në jetën time po më cenohet nga individë që procesin zgjedhor e kanë menaxhuar me papërgjegjësi dhe agjenda të panjohura për mua dhe pa dijeninë time”, ka shkruar Veselaj-Gutaj. Ajo ka vlerësuar se tjetërsimi i votës përbën një nga goditjet më të rënda ndaj demokracisë dhe ka paralajmëruar se do të kërkojë përgjegjësi nga institucionet e drejtësisë. “Tjetërsimin e votës e konsideroj krimin më të madh që mund t’i ndodhë demokracisë dhe rrugës sonë për një shoqëri të drejtë. Kjo nuk mund assesi të falet”, ka theksuar ajo. Sipas Veselaj-Gutajt, ajo që ka ndodhur nuk mund të quhet thjesht vjedhje, por sabotim i shtetit dhe i procesit demokratik. “Kjo nuk është demokraci, madje nuk mund ta quajmë as vjedhje, është sabotim i shtetit, dhe i gjithë asaj për çka sakrifikuam në këtë çerek shekull”, ka shkruar ajo. Veselaj-Gutaj ka kërkuar që të gjithë përgjegjësit të vihen para drejtësisë dhe që të bëhet rinumërim i votave në të gjitha komunat. “Kjo dukuri që i preku të gjithë kandidatët pa asnjë përjashtim… duhet të ndalohet qysh tash dhe të papërgjegjshmit të sillen para përgjegjësisë. Madje rinumërimi duhet të bëhet në të gjitha komunat”, ka theksuar ajo. Pavarësisht zhgënjimit, ajo ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin e saj politik. “Ndonëse e mllefosur dhe e zhgënjyer me këtë dukuri të shëmtuar, unë do të vazhdoj rrugën time në karrierën politike me plot përgjegjësi, kompetencë dhe integritet”, ka përfunduar Veselaj-Gutaj. Kujtojmë se ish-deputetes së PDK-së deri tash i janë larguar mbi dy mijë vota pas rinumërimit. /Telegrafi/