Procesi i rinumërimit të fletëvotimeve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon edhe në ditën e gjashtë, në bazë të vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Sipas të dhënave zyrtare, nga nisja e procesit të martën, më 13 janar 2026, në ora 18:00, e deri të dielën, më 18 janar 2026, në ora 16:00, janë rinumëruar rreth 56 për qind e vendvotimeve, përkatësisht 509 nga gjithsej 914. Rinumërimi ka përfunduar plotësisht në komunat: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Leposaviq, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë dhe Prishtinë. Ndërkohë, në komunën e Prizrenit janë rinumëruar 232 nga 235 vendvotime, ndërsa në Skënderaj vetëm 4 nga 72 vendvotime. Sipas KQZ-së, deri më tani rinumërimi është përmbyllur në 19 komuna, ndërsa gjatë ditës së sotme pritet të përfundojë edhe në komunën e Prizrenit. Më pas, procesi do të vazhdojë në komunat e tjera sipas rendit të përcaktuar. Rezultatet e rinumërimit publikohen në platformën zyrtare të KQZ-së për rezultatet zgjedhore, në seksionin QNR > Rinumërim, pas përfundimit të numërimit për secilin vendvotim.