Agjentët e Mirlind Dakut e kanë ofruar sulmuesin shqiptar te disa klube gjermane, duke hapur skenarin e një transferimi të mundshëm, megjithëse një lëvizje në dimër nuk shihet si opsion real në këtë moment. Sipas informacionit të publikuar nga “Championat”, përfaqësuesit e 28-vjeçarit të Rubin Kazan e kanë prezantuar profilin e tij te disa skuadra të Bundesligës dhe Bundesligës 2. Augsburg, Mainz dhe Hamburg janë ndër klubet që kanë shfaqur interes konkret për blerjen e sulmuesit shqiptar. Megjithatë, agjencia që menaxhon Dakun ka bërë të qartë për gazetaren Maria Kutsubeeva se pavarësisht interesimit të madh, merkatoja e janarit nuk konsiderohet periudha e duhur për një transferim. “Ka shumë interes për Dakun nga Gjermania, por ne mendojmë se dritarja e dimrit nuk është momenti i përshtatshëm për një lëvizje të tillë”, ka deklaruar agjencia e lojtarit. Daku është pjesë e Rubin Kazan që nga korriku i vitit 2023 dhe ka kontratë të vlefshme deri në qershor 2029. Me Kombëtaren shqiptare ai numëron 15 paraqitje. Në edicionin aktual të Superligës Ruse, sulmuesi ka realizuar një gol dhe ka dhënë pesë asistime në nëntë ndeshje, duke qenë një nga pikat më të rëndësishme të skuadrës së tij në repartin ofensiv. Vlera e tij aktuale në treg vlerësohet në 10 milionë euro sipas Transfermarkt, çka e bën një profil tërheqës për klubet gjermane në prag të verës./ Telegrafi