Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) bën të ditur se, Njësia B2 është ndalur për kontroll Teknik. Sipas KEK-ut, Njësia B2, e cila ka qenë në operim të pandërprerë që nga 26 tetori 2025, ka realizuar me sukses rreth 2.000 orë pune, përkatësisht 82 ditë operim kontinual. Sipas njoftimit, duke marrë parasysh ngarkesën e vazhdueshme operative dhe kushtet aktuale teknike, KEK bën të ditur se është e domosdoshme që kjo njësi t’i nënshtrohet një kontrolli teknik, me qëllim të vlerësimit të gjendjes, rifreskimit të parametrave operativë dhe sigurimit të vazhdimësisë së qëndrueshme të prodhimit. Sipas KEK-ut, ky kontroll teknik pritet të zgjasë rreth 48 orë, gjatë të cilave ekipet profesionale dhe teknike kanë nisur tashmë ndërhyrjet dhe verifikimet e nevojshme në pajisjet kryesore të njësisë. Njëkohësisht, kjo periudhë do të shfrytëzohet edhe për sanimin e disa gypave në kaldajë, tek të cilët janë evidentuar rrjedhje, me synim rritjen e nivelit të sigurisë dhe efikasitetit të operimit të mëtejmë të njësisë. KEK sh.a. thekson se mbetet e përkushtuar për operim të sigurt, stabil dhe efikas të kapaciteteve prodhuese, duke ndërmarrë masa të rregullta parandaluese dhe mirëmbajtëse në funksion të garantimit të stabilitetit të sistemit elektroenergjetik. Ferat Shala nga PDK-ja ka deklaruar se sot, më 18 janar, ka rënë nga sistemi njësia B2 në KEK dhe se mbi 250 MWh energji elektrike janë larguar nga sistemi pa asnjë paralajmërim. Sipas Shalës, kjo nuk është më një ngjarje e rastësishme, por pasojë e mirëmbajtjes së dobët, menaxhimit të dobët dhe mungesës së përgjegjësisë institucionale.