Napoli ka marrë një goditje të rëndë përpara ndeshjes së Ligës së Kampionëve ndaj FC Copenhagen, pasi Amir Rrahmani do të mungojë me siguri për shkak të një dëmtimi muskulor. Mbrojtësi i Kosovës u detyrua të largohej nga fusha gjatë fitores minimale 1-0 ndaj Sassuolos, duke ndjerë dhimbje në pjesën e pasme të kofshës. Sipas raportimeve nga Italia, bëhet fjalë për një problem në fleksor, ndërsa ekzaminimet mjekësore të planifikuara për të hënën do të përcaktojnë saktësisht shkallën e dëmtimit dhe kohën e rikuperimit. Sky Sport Italia bën të ditur se Rrahmani është jashtë për udhëtimin evropian në Danimarkë, ndërsa paraqitja e tij në sfidën e madhe të Serie A ndaj Juventusit fundjavën e ardhshme mbetet seriozisht në dyshim. Ky dëmtim është një rikthim i problemit të mëparshëm për Rrahmanin, i cili kishte pësuar një dëmtim të ngjashëm në bicepsin femoral gjatë angazhimit me Kombëtaren e Kosovës më 8 shtator, duke munguar gati dy muaj. Situata e dëmtimeve po kthehet në një krizë të vërtetë për trajnerin Antonio Conte, i cili aktualisht nuk mund të llogarisë as në Romelu Lukakun, Kevin De Bruyne, André-Frank Zambo Anguissan, Billy Gilmour, portierin Alex Meret dhe Matteo Politanon që po ashtu do të mungojë ndaj FC Copenhagen, pasi pësoi dëmtim muskulor në të njëjtën ndeshje ndaj Sassuolos. /Telegrafi/