Megjithëse Struga ka qeverisje të re lokale, qyteti lëngon nga problemet e vjetra. Një prej tyre është problemi me qentë endacakë. Qytetarët veçanërisht në mbrëmje kanë frikë për sigurinë e tyre. Ata kërkojnë angazhim më të madh nga komuna për të zgjidhur këtë çështje. “Është një problem i madh me qentë. Për mua personalisht, nuk është problem, sepse nuk kam frikë, por ka gra, fëmijë, dhe pastaj ata janë të ekspozuar…”, tha një Qytetar. “Për problemin e qenve endacakë, a nuk ka strehimore, ku do të mund të kujdesen dhe të kontrollohen dhe të zgjidhet kjo? Ka mënyrë për ta zgjidhur, ka një zgjidhje. Nuk duhet të jetë kështu. Kjo është përgjegjësi e komunave, pra e vetëqeverisjeve vendore”, u shpreh një qytetar. “Shko te ura për të parë sa qen ka, ke frikë të kalosh. Vetëqeverisja e re lokale duhet ti mbledhë qentë. Dikur kishte një shërbim shinterësh, nuk e di si është tani. Nëse ka mundësi t ‘i mbledhë mirë. Jo t’ i vrasë, por për t’i mbledhë. Ka strehimore, ka gjithçka. A njihni qytetar që është kafshuar deri më tani? Po. Ka edhe fëmijë që janë kafshuar. Ata kanë nevojë për masa urgjente”, tha qytetari. Edhe nxënësit kanë frikë për sigurinë e tyre. Ata thonë se shumë shpesh ka qen endacakë gjatë rrugës për në shkollë ose pranë shkollave. “Ka shumë qen kudo rreth shkollës dhe kjo është një nga gjërat e para që vihet re.”, u shpreh një nxënës “Rreth shkollës sonë ka shumë qen endacakë, për këtë arsye ne personalisht ndiejmë frikë kur duhet të kalojmë pranë shkollës” tha një nxënës.Në fund të nëntorit të vitit të kaluar, një nxënës u kafshua nga një qen endacak në oborrin e shkollës “Vëllezërit Miladinovci” në Strugë gjatë pushimit të madh, gjë që shkaktoi shqetësim te fëmijët. “Në rregull, edhe shkolla ka nevojë që të rregullohet në këtë pjesë, sepse ky është një vend ku fëmijët tanë duhet të jenë të sigurt. Unë do të angazhohem që fëmijët tanë të jenë të sigurt. Po ashtu, duhet të zgjidhet edhe çështja e qenve që qëndrojnë këtu” u shpreh Ton-Rudina Kreka – drejtoreshë e SHFK “Vëllezërit Miladinovci”, Strugë. Nga Komuna e Strugës thonë se mbeten të përkushtuar për të ndërmarrë hapa konkretë për tejkalimin e këtij problemi. Ata thonë se ndërtimi i një strehimoreje moderne stacionare është vlerësuar si zgjidhja më e mirë dhe më funksionale për Strugën.