Rreth 6 mijë vota më pak pas rinumërimit, reagon Paçarizi

Procesi i rinumërimit të votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka ngritur shqetësime serioze për integritetin e zgjedhjeve, duke nxitur reagime publike dhe thirrje për hetime të thelluara institucionale. Me mbi gjysmën e procesit tashmë të përfunduar, rinumërimi i pjesshëm i votave për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit ka nxjerrë në pah mospërputhje të shumta. Sipas të dhënave nga rinumërimi, disa kandidatë kanë rezultuar me mijëra vota më shumë gjatë numërimit fillestar sesa u takonin realisht. Ndër ta është edhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Fetah Paçarizi, i cili pas rinumërimit ka humbur gjithsej 5.942 vota. Për këtë çështje, Paçarizi ka reaguar publikisht, duke e cilësuar situatën si alarmante dhe serioze. “Çfarë po ndodh gjatë procesit të rinumërimit të votave nga KQZ është shqetësuese dhe cenon drejtpërdrejt besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor”, ka deklaruar Paçarizi, duke theksuar se këto zhvillime ngrenë dyshime të arsyeshme mbi korrektësinë e numërimit dhe rinumërimit të votave. Ai ka kërkuar rinumërim të plotë të votave në të gjithë vendin, përfshirë edhe votat e diasporës, me qëllim garantimin e transparencës, barazisë dhe respektimit të vullnetit real të qytetarëve. Paçarizi ka sqaruar se është i përfshirë rishtas në politikë dhe se nuk ka mbajtur asnjëherë poste apo përgjegjësi politike, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë ndikim në procesin zgjedhor dhe se distancohet nga çdo keqpërdorim apo manipulim i mundshëm i votës. Në reagimin e tij, ai ka bërë thirrje që Prokuroria e Shtetit të nisë hetime të plota, të pavarura dhe profesionale, ndërsa ka kërkuar nga KQZ-ja që të japë llogari publike dhe të ofrojë prova të qarta për ligjshmërinë dhe korrektësinë e veprimeve të saj. “Pavarësia institucionale nuk nënkupton mungesë përgjegjësie. Gabimi apo manipulimi i këtij niveli është përgjegjësi shtetërore”, ka theksuar Paçarizi, duke kërkuar transparencë, hetim dhe përgjegjësi për të ruajtur besimin në procesin zgjedhor./Telegrafi.