Një gjest shembullor qytetar është shënuar në Ferizaj, ku një qytetar ka gjetur një portofol me para dhe dokumente personale dhe e ka dorëzuar menjëherë në Polici. Sipas njoftimit, më 18 janar 2026, rreth orës 16:00, qytetari A. Rexhepi, 32 vjeç nga Ferizaj, në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, përkatësisht në parkingun e “Viva Fresh Store”, ka gjetur një portofol që përmbante para dhe dokumente personale. Në portofol ndodheshin 1,133.50 euro, 10 franga zvicerane, 5 dollarë amerikanë, si dhe dokumente personale në emër të B. Ç., 29 vjeçe. Pas identifikimit, pronarja e portofolit është kontaktuar nga Policia dhe është paraqitur në Stacionin Policor në Ferizaj, ku i janë kthyer të gjitha paratë dhe dokumentet. Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka falënderuar qytetarin A. Rexhepi për veprimin e tij human dhe shembullor, duke vlerësuar lart ndershmërinë dhe përgjegjësinë e tij qytetare.