Maqedoni, gripi sezonal përkeqësohet me fillimin e gjysmëvjetorit të dytë

Me fillimin e gjysmëvjetorit të dytë shkollor, mjekët presin përkeqësimin e situatës me gripin. Sipas drejtorit të Klinikës së Fëmijëve, Rexhep Memedi brenda 24 orëve, mbi 150 prindër trokasin në dyert e kësaj klinike me fëmijët në krahë. Gripi nuk kursen askënd, nga foshnjat e deri te fëmijët e moshës shkollore. “Momentalisht kemi duku afër 30 fëmijë të cilët janë të hospitalizuar në Klinikën e Fëmijëve që kanë simptoma të gripit apo komplikime nga virusi i gripit dhe viruse të tjera sezonale sikur që është virusi respirator sensicial. Kemi pacientë të moshave nga foshnjat deri te fëmijët e moshave shkollore dhe kuptohet pjesa dërmuese e tyre janë me ndezje në mushkëri, pneumoni, bronhiolit. Kemi edhe pacientë që kanë komplikim apo ndezje në muskuj, miozit, ndonjëherë ndodhë që mund të kemi edhe komplikime edhe më serioze”, tha Rexhep Memedi, Drejtor i Klinikës së Fëmijëve. Memedi tha për Alsat se grumbullimi në hapësira të mbyllura dhe klasa pritet të përshpejtojë transmetimin e virusit, i cili javëve të fundit ka mbushur plot institucionet shëndetësore. SIpas tij, një kollitje apo një bisedë e afërt në bankë është mjaftueshëm që virusi të udhëtojë nga një fëmijë te tjetri. “Masat preventive janë shumë të rëndësishme në kuptimin që personat të cilët kanë simptoma të gripit të qëndrojnë në shtëpi në fillim tash të shkollës. Fëmijët të cilët kanë simptoma të gripit, kanë temperaturë të lartë trupore, kollitje, dhimbje në muskuj, skuqje të syve, rrjedhje të hundëve, dhimbje në fund, këta fëmijë duhet të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që ta mbrojnë veten dhe bashkëmoshatarët e tyre”, u shpreh Rexhep Memedi, Drejtor i Klinikës së Fëmijëve. Drejtori Memedi u bën thirrje prindërve dhe institucioneve arsimore që deri sa kulmi i gripit të kalojë, higjiena personale, vitaminat dhe ajrosja e klasave mbeten mjetet e vetme për të mbajtur shkollat hapur dhe spitalet jashtë rrezikut të stërngarkimit me pacientë.