Sekretari i përgjithshëm i NATO-s ka zhvilluar një telefonatë me Donald Trump për të diskutuar situatën në Groenlandë dhe Arktik. Pa zbuluar shumë detaje rreth diskutimit, Mark Rutte tha se "ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë". "Pres me padurim ta shoh në Davos më vonë këtë javë", ka shtuar ai, përcjell Telegrafi. Kujtojmë se udhëheqësit botërorë do të mblidhen në qytetin zviceran për Forumin Ekonomik Botëror. Spoke with @POTUS regarding the security situation in Greenland and the Arctic. We will continue working on this, and I look forward to seeing him in Davos later this week. — Mark Rutte (@SecGenNATO) January 18, 2026 Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen, thotë se ka folur me homologun e tij norvegjez në Oslo. Rasmussen filloi duke u thënë gazetarëve se lufta në Ukrainë është në një pikë kritike dhe tha se kjo nuk duhet harruar gjatë diskutimeve mbi Grenlandën. Ai vazhdoi duke thënë se Danimarka po përpiqet ta bindë Donald Trump të braktisë idenë se ai duhet ta zotërojë Grenlandën. Por pavarësisht kërcënimeve të presidentit amerikan, Rasmussen tha se vendi i tij do të donte të vazhdonte të eksploronte një rrugë diplomatike përpara. Pas takimit me nënpresidentin amerikan JD Vance dhe sekretarin e shtetit Marco Rubio në Uashington këtë javë, Rasmussen tha se do të ngrihej një grup pune i nivelit të lartë për të "eksploruar nëse mund të gjejmë një rrugë të përbashkët përpara". Grupi pritet të takohet për herë të parë "brenda pak javësh". Vendet evropiane: Kërcënimet e SHBA-së me tarifa "minojnë marrëdhëniet transatlantike" Zhvillimet vijnë ndërsa Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Holanda, Norvegjia, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar publikuan sot një deklaratë të përbashkët, në të cilën kanë dënuar kërcënimet e fundit të SHBA-së për vendosjen e tarifave për shkak të Grenlandës, duke riafirmuar përkushtimin e tyre ndaj sigurisë në Arktik, duke ruajtur njëkohësisht sovranitetin e tyre. “Kërcënimet me tarifa dëmtojnë marrëdhëniet transatlantike dhe rrezikojnë një spiralë të rrezikshme në rënie. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë të bashkuar dhe të koordinuar në përgjigjen tonë. Jemi të përkushtuar për të mbrojtur sovranitetin tonë”, thuhet në deklaratë. Ajo rithekson angazhimin e tetë vendeve për forcimin e sigurisë në Arktik “si një interes i përbashkët transatlantik”. / Telegrafi /