Florent Hadërgjonaj me paraqitje të jashtëzakonshme, por nuk i mjaftoi Alanyasporit ndaj Fenerbahces

As paraqitja e mrekullueshme e Florent Hadërgjonajt nuk i ka mjaftuar Alanyasporit ndaj Fenerbahces. Mbrojtësi kosovar shënoi një eurogol si dhe asistoi te goli i dytë, por Feneri në fund arkëtoi pikët e plota me rezultat 2-3. Pas vetëm tre minutave lojë, Hadërgjonaj me një goditje të fuqishme nga distanca e la të shtangur portierin mysafir për të kaluar Alanyasporin në epërsi. Ndërsa, pak minuta më vonë, asistoi te Makuota për ta rikthyer epërsinë pasi Feneri kishte barazuar me anë të Talisca. Sidoqoftë, Fenerbahce në fund shënoi edhe dy gola, falë Musaba dhe Taliscas për t’i arkëtuar pikët e plota. “ SofaScore ” e vlerësoi Hadërgjonajn me notën 8.5, që ishte më e larta në skuadrën e Alanyasporit si dhe e dyta më e larta në ndeshje, pas Taliscas, që mori notën 9.2 si pasojë e dy golave. Hadërgjonaj po synon të vazhdojë me këtë formë fantastike me shpresën që të merr një ftesë nga Franco Foda për play-offin e Botërorit, ku Kosova fillimisht do të përballet me Sllovakinë më 26 mars./ Telegrafi /