Zbardhen vjedhjet në shkollat e Vitisë, pajisjet e vjedhura u kthehen institucioneve arsimore

Komuna e Vitisë ka bërë të ditur se është zbardhur rasti i vjedhjeve në disa institucione arsimore, ndërsa pjesa më e madhe e pajisjeve të vjedhura tashmë u janë kthyer shkollave përkatëse. Sipas njoftimit, pajisjet e rikthyera u përkasin Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Dëshmorët e 5 Prillit” në Smirë, SHFMU “Dëshmorët e Vitisë” në Viti, si dhe Shkollës së Mesme Teknike IAAP “Jonuz Zejnullahu” në Viti. Me këtë rast, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Vitisë, Arta Ajeti, e shoqëruar nga përfaqësues të institucioneve përkatëse, ka pranuar sot pajisjet që më herët ishin gjetur tek personat e dyshuar, pas ftesës nga Policia e Kosovës, Stacioni Policor në Viti. Ajeti ka falënderuar Policinë e Kosovës dhe të gjithë ata që kontribuuan në zbardhjen e rastit, duke theksuar se kthimi i pajisjeve është i rëndësishëm për funksionimin normal të institucioneve shkollore dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor. / Telegrafi /