Cakolli: Rinumërimi i plotë i votave mund të zgjasë edhe dy javë, certifikimi i rezultateve në shkurt ose fillim marsi

Procesi i rinumërimit të votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të zgjasë edhe disa javë, ndërsa certifikimi i rezultateve përfundimtare mund të shtyhet deri në fund të shkurtit apo edhe në fillim të marsit, vlerëson Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI). Sipas Cakollit, me dinamikën aktuale të punës, KQZ-ja ka rinumëruar mesatarisht rreth 80 kuti votimi në ditë, duke operuar me rreth 20 tavolina numërimi në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR). “Pas dyfishimit të kapaciteteve, KQZ-ja do të duhej tashmë të rinumërojë të paktën 150 kuti në ditë. Kjo nënkupton se për rinumërimin e plotë të të gjitha vendvotimeve do të nevojiten të paktën edhe deri në dy javë,” ka theksuar Cakolli. Ai sqaron se pas përmbylljes së rinumërimit, fillojnë të rrjedhin afatet ligjore për ankesa lidhur me procedurat e administruara në QNR, të cilat mund të zgjasin deri në 12 ditë. Sipas tij, brenda këtij afati, palët kanë 48 orë kohë për të parashtruar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ndërsa ky institucion ka tri ditë për të marrë vendim. “Më pas, ekziston edhe afati tjetër 48-orësh për ankesë në Gjykatën Supreme, e cila ka deri në pesë ditë kohë për vendimmarrje,” ka sqaruar ai. Cakolli thekson se vetëm pas shterimit të të gjitha këtyre procedurave dhe afateve ligjore mund të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve. Edhe këto rezultate, sipas tij, mund të ankimohen, me afate të ngjashme si ato paraprake, çka në total mund ta zgjasë procesin edhe për rreth 13 ditë të tjera. “Sipas të gjitha këtyre afateve, në skenarin më optimal, certifikimi i rezultateve mund të ndodhë gjatë mesit të muajit shkurt. Ndërsa në rastin më të keq, kjo mund të ndodhë në fund të shkurtit, apo edhe në fillim të marsit – në varësi të vendimmarrjes mbi ankesat potenciale,” ka përfunduar Cakolli.