Në kuadër të formimit të Kabinetit të ri të qeverisjes lokale, kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka njoftuar sot emërimin e Raisa Shabani Jelmazi si drejtoreshë të Drejtorisë për Mbrojtje, Shpëtim dhe Shërbime Publike. Ky emërim shënon një hap të rëndësishëm drejt avancimit të barazisë gjinore në institucionet lokale, pasi Jelmazi bëhet drejtoresha e dytë grua në Kabinetin e kryetarit Xheladini. Sipas tij, kjo tregon përkushtimin për një përfaqësim të denjë të grave në pozita vendimmarrëse dhe për mbështetjen e barazisë gjinore në qeverisjen lokale. Përveç aspektit gjinor, Jelmazi përfaqëson edhe komunitetin joshumic, duke kontribuar në vizionin e qeverisjes gjithëpërfshirëse dhe të barabartë, pa dallime etnike apo sociale. Kryetari Xheladini i ka uruar drejtoreshës Jelmazi suksese në detyrën e re dhe ka theksuar pritshmërinë për një bashkëpunim të frytshëm në shërbim të interesit publik dhe të qytetarëve të Dragashit. / Telegrafi /