Fetai: Rasti Ristov tregon sistemin e kalbur të drejtësisë që për vite me radhë ka mbrojtur të fuqishmit

Zv. kryeministri Arben Fetai ka reaguar lidhur me njoftimet se gjyqtarit Gjoko Ristov i janë gjetur 350 mijë euro, të dyshuara si para të korrupsionit. Sipas Fetait, ky rast e rrënon edhe grimcën e fundit të besimit që ka mbetur në sistemin e drejtësisë. Ai në një reagim përmes profilit të tij në Facebook vlerëson se nuk bëhet fjalë për një rast të izoluar, por për “majen e ajsbergut” të një sistemi që, sipas tij, për vite me radhë ka mbrojtur të fuqishmit dhe ka shtypur qytetarët e zakonshëm. “Ajo që e bën situatën edhe më alarmante është fakti se ky nuk është një emër i panjohur për drejtësinë. Gjoko Ristov, së bashku me gjyqtarin non grata Enver Bexheti, kanë qenë pjesë e vendimeve që i hapën rrugën e lirisë Sasho Mijallkovit, i cili sot shëtit i lirë me Ferrari në Monaco”, shkruan Fetai. Për këtë arsye, ai kërkon që edhe këto vendime të hetohen deri në fund, për të sqaruar se çfarë ka ndodhur dhe kush ka qenë i përfshirë. Në reagimin e tij, zëvendëskryeministri ngre pyetjen se sa gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë, sipas tij, fshihen pas togës së drejtësisë duke e përdorur ligjin si mbulesë për korrupsion. Fetai theksoi se puna që pret institucionet është e madhe, por se një gjë është e panegociueshme: veprim pa vonesë, hetime të plota, përgjegjësi konkrete dhe pastrim i një sistemi që ai e cilëson të kalbur deri në palcë.