Barcelona i dha fund rekordit magjik: Real Madridi tani beson se do ta fitojë La Liga-n

Barcelona ka pësuar një humbje befasuese 2-1 ndaj Real Sociedad të dielën, në një ndeshje që katalunasit e dominuan pothuajse totalisht nga fillimi deri në fund. Ky dështim i skuadrës blaugrane i dha mundësinë Real Madridit të afrohet në vetëm një pikë diferencë në garën për titull pas 20 javësh në La Liga. Sipas raportimit të “The Athletic”, në Madrid tashmë ekziston bindja se kampionati është plotësisht i hapur dhe se “Los Blancos” mund ta përmbysin Barcelonën në pjesën e mbetur të sezonit, me edhe 18 ndeshje për t’u zhvilluar. Humbja ndaj Sociedad i dha fund serisë prej 11 fitoreve radhazi të Barcelonës, duke rrëzuar idenë se skuadra e Hansi Flick është e pathyeshme këtë edicion. Nga ana tjetër, edhe pse Real Madridi ka pasur luhatje në formë gjatë javëve të fundit, ardhja e trajnerit të ri ka rikthyer optimizmin në klub. Brenda skuadrës besohet se një seri pozitive është shumë pranë dhe se momenti për të marrë kreun mund të vijë shpejt. Në “Bernabeu” tani e shohin Barcelonën si më të brishtë se më parë dhe janë të bindur se gara për titull do të marrë një kthesë të madhe në javët e ardhshme./ Telegrafi